Aktualitet15 Qershor 2018, 16:45

Rama-Meta pazar kundër reformës dhe SHBA, plan për kapjen e dy gjykatave

Shkruar nga Pamfleti
Rama-Meta pazar kundër reformës dhe SHBA, plan për kapjen e dy

Rama-Meta pazar kundër reformës dhe SHBA, plan për kapjen e dy gjykatave

Rama, Meta, Berisha, Basha dhe Monika luftë SHBA dhe shqiptarëve, duan të kapin sërish Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese për të shpëtuar nga burgu, lidhja që demaskon teatrin e tyre të përditshëm  

 

Takimi Rama-Meta, pas shumë sharjesh dhe pështyrjesh, konfirmon edhe një herë se kokat e politikës shqiptare, të cilat ka 28 vjet që sundojnë dhe vjedhin shqiptarët, janë bashkë për të mbrojtur pasuritë e vjedhura, për të vijuar sundimin dhe për sabotuar drejtësinë e re.

 

Bashkëshortja e Ilir Metës, Monika Kryemadhi, e quan ditën mafioz dhe kapo të drogës, ndërsa Ilir e pret natën në zyrë Edi Ramën, duke bërë pazaret e radhës. Gjatë fushatës së zgjedhjeve të 2017, Ilir Meta bëri thirrje për kryengritje të armatosur kundër Ramës, ndërsa Edi Rama e quan Ilir Metën si presidentin më të mirë që ka pasur Shqipëria, edhe pse sipas raporteve ndërkombëtare Meta konsiderohet si babai i korrupsionit dhe krimit në Ballkan.

 

Tre vjet më parë, Sali Berisha e akuzonte Ilir Metën se kishte porositur vrasjen e dy deputetëve, ndërsa disa muaj më pas u bënë bashkë kundër reformës në drejtësi, ndërsa Ilir Meta e shpalli Berishën si dobësinë më të madhe të tij. Para zgjedhjeve të 2017, Lulzim Basha i konsideronte Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin si krerët e një bande të rrezikshme siç është LSI, ndërsa pas zgjedhjeve, Monika Kryemadhi bashkë me zagarin e saj, Petrit Vasilin, shkonin natën në zyrën e Lulzim Bashës.

 

Lulzim Basha e quan Edi Ramën si bosin e drogës dhe të krimit në Shqipëri, ndërsa Edi Rama, në të njëjtën kohë, bën vëllain e Lulzim Bashës me biznes, ndërsa i jep edhe vjehrrit të tij 13 milionë euro nga buxheti i shqiptarëve. Të gjitha këto janë thjeshtë një tregues që konfirmon se kapot e politikës shqiptare janë bashkë kundër shqiptarëve, punojnë bashkë, mbrojnë njëri-tjetrin dhe bëjnë çdo ditë teatër për të mashtruar dhe mpirë mendjet e shqiptarëve.

 

Edhe takimi i fundit mes Edi Ramës dhe Ilir Metës vjen në kuadër të kësaj aleance mafioze, e cila në thelb është kundër shqiptarëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, që mbështesin reformën në drejtësi. Kryefjala e takimit mes Ramës dhe Metës ishte plani për të kapur Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Kushtetuese. Ata, me miratimin e Berishës dhe të Bashës, duan të emërojnë në këto dy gjykata njerëz si puna e Adriatik Llallës, pa kaluar Vetingun.

 

Çështja e negociatave me Greqinë është thejshtë një perde për të mbuluar synimin jetik të krerëve të politikës, që është kapja e drejtësisë që po ndërtohet, me qëllim për të shpëtuar prej saj.

 

Gjoja për të nxjerrë drejtësinë nga kolapsi, Rama, Meta, Berisha, Basha dhe Monika, synojnë të mbajnë nën kontrollin Gjykatën e Lartë me anë të personave të besuar. Po pse kontrolli i Gjykatës së Lartë është kaq jetik për kokat e politikës shqiptare? Arsyeja është e thjeshtë. Gjykata e Lartë do të vendosë sërish në mënyrë përfundimtare nëse kokat e krimit dhe korrupsionit të politikës shqiptare do të shkojnë apo jo në burg. Nëse këta do të dënohen nga gjykatat speciale, Gjykata e Lartë do të konfirmojë ose jo vendimet e gjykatave speciale.

 

Në këtë kuadër, Rama, Meta, Berisha, Basha dhe Monika, nuk duan që anëtarët e rinj të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese të dalin nga procesi i Vetingut, pra nga duart e amerikanëve dhe gjermanëve. Ata duan që të emërojnë disa ushtarë të tyre në vendet e mbetura bosh, që nesër t’i shpëtojnë nga burgu./Pamfleti

Kryesore plan për kapjen e dy gjykatave Rama-Meta pazar kundër reformës dhe SHBA