Aktualitet 7 Dhjetor 2022, 18:20

Rama në telashe me amerikanët, si ja hoqi Yuri Kim meritat për Samitin e BE në Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Rama në telashe me amerikanët, si ja hoqi Yuri Kim meritat për

Samitin e organizoi qeveria dhe jo presidenti. Fakti që Kim i shkoi Begajt në zyrë dhe e përgëzoi, tregon qartë se kryeministri nuk i ka fare mirë punët me amerikanët…

Kryeministri Edi Rama duket se nuk i ka shumë mirë punët me amerikanët. Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka dhënë sot një tjetër sinjal se kontaktet e saj me kreun e qeverisë janë ndërprerë, duke shtuar zërat se Rama dalëngadalë po hyn në rrethin e kuq të amerikanëve.

Përplasja e parë publike mes tyre ndodhi që në muajin tetor. Ambasadorja amerikane dha alarmin në atë kohë se po ju bëhej presion anëtarëve të SPAK dhe më saktë një anëtari të Gjykatës së Apelit në GJKKO. Kim nuk përmedi emra, por dukej se sinjali shkonte për qeverinë. Një ditë më pas, ai që ra brenda me këmbët e veta ishte Rama.

Gjykata Kushtetues organizoi një aktivitet për drejtësinë dhe Rama aty sulmoi Yuri Kim, duke deklaruar se ambasadorët ndjehen komodë kur komentojnë vendimet e gjykatave. Më pas ai u largua dhe nuk i dha as dorën ambasadores.

Nga ana tjetër, në një intervistë, Kim i dha shuplakë shumë të fortë për ligjin e amnistisë fiskale dhe për kullat që po ngrihen me para kriminale.

Por sot ambasadorja i ka dhënë një tjetër goditje kryeministrit. Kim bëri një reagim për Samitin e BE në Tiranë, i cili kaloi pa shumë vëmendje. Ambasadorja njoftoi se ishte takuar me presidentin Begaj dhe e përgëzoi për aktivitetin që u mbajt dje.

Faleminderit Presidentit Bajram Begaj për mundësinë për t’i shprehur urimet Shqipërisë për pritjen e samitit BE-Ballkani Perëndimor, hera e parë që ky samit mbahet jashtë Brukselit. SHBA mbështet fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë për të ndërmarrë hapat e nevojshëm – përfshirë reformën në drejtësi – për t’u bashkuar BE-së”, tha ambasadorja Kim në “Twitter”.

Por me këtë lëvizje Yuri Kim ka injoruar tërësisht kryeministrin. Samitin e organizoi qeveria dhe jo presidenti. Fakti që Kim i shkoi Begajt në zyrë dhe e përgëzoi, tregon qartë se kryeministri nuk i ka fare mirë punët me amerikanët. Normalisht duhej vlerësuar qeveria dhe jo Presidenca.

Rama ka një javë që mburret me samitin dhe po e shet si një arritje të madhe të tij, por duket se ambasadorja e ka zbritur me këmbë në tokë. Ajo vlerëson Shqipërinë dhe nuk i jep asnjë meritë qeverisë. Pra duket qartë se vizita e saj te Begaj ka qenë një mesazh shumë i qartë për kreun e qeverisë. Elementi tjetër që duhet theksuar është se Rama duket se po pëson fatin e Ilir Metës. Ka shumë muaj që ambasadorja nuk i shkon më në zyrë. /Pamfleti

Kryesore #Begaj Rama Yuri Kim