Kryeministri Edi Rama ka shtuar dozën e kritikave ndaj Bashkimit Europian. Ai ka folur nga Austria për mungesën e dritës jeshile për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku sërish është ndalur te ajo që tha dhe më herët duke bërë një paralelizëm me shëndetin e Vladimir Putin.
“Dje, parlamenti bullgar votoi për diçka, por dua të theksoj se kjo nuk lidhet vetëm me Bullgarinë. Bullgaria është shprehja finale e frymës së deformuar të zgjerimit. Ka diçka më të thellë që është humbur dhe duhet rikuperuar shpejt. Të gjithë dëgjojmë që Putin është shumë i sëmurë. Mund të jetë ose jo e vërtetë, por nuk duket sikur BE është shumë e shëndetshme dhe se hapësira jonë është e mbrojtur mirë nga ajo çka mund të vijë.
Dëgjova një prej miqve francezë që përsëriste se Putin ka bërë të kundërtën e asaj çka kërkonte duke përbashkuar Europën, duke sjellë bashkë NATO, por është shumë herët për tu thënë se nuk duket sikur dimri i ardhshëm do të jetë i lehtë dhe nuk duhet të marrim të mirëqenë cakun e durimit të opinionit publik që as nuk ekziston në Rusi”, tha Rama.
Ai vlerësoi edhe Austrinë duke thënë se ajo i ka idetë e qarta kur vjen puna te integrimi i Ballkanit Perëndimor.
“Problemi është se sa më shumë njerëzit kanë, aq më pak janë të prirur që të heqin dorë qoftë nga një gjë e vogël. T’i thuash të pasurve që na duhet të durojmë inflacionin e lartë sepse një gjë shumë më e rëndësishme është në lojë, është më e lehtë ta thuash se ta bësh. Por ç’mund të them nga ana tjetër? Në cepin tonë të botës, BE është realiteti i vetëm gjeografik në historinë e hartave që ka dy kufij, një të brendshëm e një të jashtëm dhe është kjo copëz bote që quhet Ballkan dhe besoj se Austria është ndër të paktat që ka ide të qartë pavarësisht çështjeve të brendshme dhe kurrë nuk e ka tradhtuar“, tha Rama.