Nisin lëvizjet e para për arrestimin e Ilir Metës, përcaktohen rregullat se si do të procedohet nëse SPAK do kërkojë prangosjen e kokës së trafiqeve dhe korrupsionit në Shqipëri
Përplasjes mes Edi Ramës dhe Ilir Metës po dalin jashtë kontrollit. Ndërsa Ilir Meta vijon ta kërcënojë me varje, shpërndarje parlamenti, rrethim të qeverisë, burg etj., Edi Rama vazhdon lëvizjet konkrete dhe ligjore për izolimin dhe eliminimin politik të Presidentit. Në draftin që kanë përgatitur deputetët e PS për Presidencën, Edi Rama jo vetëm ia heq kompetencat Ilir Metës, duke ia dhënë Gramoz Ruçit, por për herë të parë përcakton rregullat se si do të arrestohet Ilir Meta. Teksa në Shqipëri flitet që nga viti 2017 për goditjen e “Floririt” dhe bandës së tij partiake nga drejtësia e re, Rama ka përcaktuar me ligj procedurat se si do t’i vihen prangat Ilir Metës nëse SPAK e kërkon një gjë të tillë. Në draft është përcaktuar se për Ilir Metën do të procedohet njëlloj si me deputetët, që do të thotë se një kërkesë e mundshme e SPAK për arrestimin e Metës, do të miratohet nga Kuvendi.
Kjo lëvizje është një mesazh kërcënues i qartë i Ramës ndaj Ilir Metës, i konsideruar nga raportet sekrete ndërkombëtare si koka e trafiqeve dhe korrupsionit në Shqipëri, pasi arrestimi i tij, nëse do të kërkohet nga SPAK, do të jetë në duart e Edi Ramës. Më konkretisht, SPAK i nis kërkesën për arrestim kryetarit të Kuvendit. Ky i fundit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet. Presidenti lajmërohet për kërkesën, ku ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes, të përfaqësohet me mbrojtës ligjor, të drejtojë pyetje dhe të kërkojë sqarime në lidhje me kërkesën me qëllim të ushtrimit të së drejtës së mbrojtjes.
Në përfundim të shqyrtimit, Këshilli, brenda 2 javëve harton një raport për në seancë plenare, në të cilin rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për arrestim. Në fund vendosin deputetët me votë në Parlament. Në reagimin e tij të parë, Ilir Meta e konsideroi këtë lëvizje të Ramës si një puç. Me puç Meta nënkupton një plan mes qeverisë dhe SHBA-BE, me ‘shkeljen e syrit’ nga Lulzim Basha, për ta goditur dhe eliminuar politikisht. Në reagimin e dytë, Meta e kërcënoi Ramën që tërhiqej nga puçi dhe të mos guxonte të përmendte më emrin e tij./Pamfleti