
Kryeministri Edi Rama, ka komplimentuar për pastrimin e qytetit kryebashkiakun e Shkodrës, Bardh Spahinë duke ‘thumbuar’ kështu indirekt Voltana Ademin. Në Forumin për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, Rama listoi bashkitë të cilat kanë pasur rezultate të mira në sektorin e pastrimit të qytetit, ku cilësoi se Shkodra ka një ndryshim në përpjekje dhe qasje.
“Bashkia re Sarandës sot është bashki kampione në riciklim. Kjo për shkak të lidershipit, punës, dhe komunikimit. Nga ajo gjysma që mblidheshin në kohën më parë një pjesë e madhe digjej rrugëve. Sot 90% mblidhet dhe trajtohet në mënyrën e duhur përgjithësisht. Them përgjithësisht se ka ende probleme. Objektivi tashmë është kalimi në një fazë tjetër duke marrë shembullin e më të mirë. Të gjithë bashkitë nuk duhet të mjaftohen më me pastrimin por edhe me riciklimin. Janë bërë ndryshime të mëdha në këtë drejtim nga disa bashki. Kemi edhe situata pak më negative por nuk po i përmend. Kryetari i bashkisë së Shkodrës nuk është këtu por dua të them se ka një ndryshim, një përpjekje në qasje, edhe pse pastrimi atje është ku thërret qameti por e vërteta duhet thënë”, tha Rama.
Kujtojmë që Rama ka pasur përplasje të vazhdueshme me Voltana Ademin, në kohën kur ajo drejtonte Bashkinë e Shkodrës.
“Mos guxo të përmendësh më emrin tim, ti s’mund ta përmendësh emrin tim”, kështu i është drejtuar Ademi kryeministrit Rama, pasi ky i fundit e kishte cilësuar kryebashkiaken e Shkodrës si njeriun më të paaftë në historinë e shtetit shqiptar.