
Juristi Kreshnik Spahiu duke folur sa i takon renditjes së Shqipërisë në raportin e Transparency International për luftën kundër korrupsionit, tha se Bashkimi Evropian sheh këtë raport para se të japë fonde për Ballkanin Perëndimor.
Spahiu shtoi se çdo ministër apo investitor i huaj, i referohet këtij raporti para se të vijë në Shqipëri, dhe për fat të keq sipas tij renditja jo e mirë e Shqipërisë në raport do të ketë efekte jo pozitive në investimet e huaja.
“Ky është një realitet shumë i hidhur, por është i vërtetë. Ky nuk mund të themi që është raporti më i mirë, por i vetmi, raporti më profesional që zhvillohet në të gjithë planetin. Qytetarët duhet të kenë parasysh që çdo qeveri, çdo ministër i huaj, kur vjen në Shqipëri, informacioni i parë që merr për Shqipërinë, është ky raport. Çdo kompani, investitor, para se t’i hypë avionit, i referohet këtij raporti. BE, para se të hapë thesin me para për Ballkanin Perëndimor se kujt do t’i japë më shumë projekte, i referohet këtij raporti”, tha Spahiu për emisionin “Now” në “EuronewsAlbania”.