Politike 6 Gusht 2022, 19:13

“Raporti për klimën e biznesit në Shqipëri”, Sula: DASH konfirmoi denoncimet tona

Shkruar nga Pamfleti
“Raporti për klimën e biznesit në Shqipëri”,

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar lidhur me publikimin e raportit nga DASH, sa i përket klimës së biznesit në Shqipëri.

Përmes një postimi në Facebook, Sula është shprehur se këto problematika i kishte denoncuar prej kohësh, megjithatë treguesit ekonomik në vend janë përkeqësuar më tepër.

Shkak për këtë, sipas demokratit, janë bërë korrupsioni endemik në administratën shtetërore, në gjyqësor dhe konkurrenca e pandershme.

Në mënyrë të vazhdueshme kam denoncuar në bazë të informacioneve dhe fakteve, korrupsionin dhe politikat dashakeqëse të kësaj qeverie. Kanë qenë me fakte. Nuk kam pasur dyshim për ato qe kam denoncuar bashkë edhe me shumë nga kolegët e mi të opozitës. Por sot po reagoj sepse të gjitha ato që kemi denoncuar ditë pas dite u konfirmuan edhe nga raporti i DASH. Korrupsioni endemik në administratën shtetërore, në gjyqësor, ekonomia informale, konkurrenca e pandershme ishin disa nga shqetësimet që përshkruheshin për vendin tonë. Në 10 vite qeverisje të SULLTANIT treguesit vetëm janë përkeqësuar ”, tha Sula.

Sipas deputetit, bizeset e ndershme nuk mund të mbijetojnë pasi të ardhmen në Shqipëri e shohin vetëm 4-5 klientët kryesor që përfitojnë nga tenderët dhe koncesionet e qeverisë, dhe trafikantët e drogës.

Në Shqipëri biznesi i ndershëm e ka çdo ditë e më shumë të vështirë që të mbijetojë. Këtu po ecin vetëm 3-4 klientët e qeverisë dhe ata që po pastrojnë paratë e kokainës. Para pak ditës e pamë sesi bosi i drogës që u kap në Spanjë kishte marrë tenderë publik në Shqipëri. Trafikanti u godit nga autoritetet e Spanjës sepse këtu ai ishte biznesmen i nderuar me tenderë rindërtimi e ndërtues pallatesh”- u shpreh Sula.

Po ashtu, deputeti akuzoi Ramën për lidhje me bandat kriminale të cilat – sipas tij – ai i përdor për të blerë votat në fushata zgjedhore.

Dje në Zërin e Amerikës e konfirmoi edhe kreu i SPAK, z. Kraja kur tha se bandat janë të fuqishme ekonomikisht dhe se po pastrojnë paratë. Ata janë të fuqishëm sepse gëzojnë mbrojtje politike. Sepse kanë hedhur lekë për të blerë vota për të mbajtur SULLTANIN në pushtet. Kryeministri e pranoi bashkëpunimin me ta dhe tani s’mund të shkëputet dhe as nuk mund ti luftojë. Ndaj e vetmja rrugë është largimi një orë e më parë e kësaj qeverie”, përfundoi Sula.

Politike DASH Raporti Sula