Politike16 Maj 2022, 17:31

Raundi i parë dështoi, Alibeaj: Procesi është i besueshëm nëse presidenti zgjidhet në tre raundet e para!

Shkruar nga Pamfleti
Raundi i parë dështoi, Alibeaj: Procesi është i

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj

Pas dështimit të raundit të parë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ku në seancën plenare nuk u paraqit asnjë kandidaturë, ka reaguar edhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj.

Alibeaj thotë se Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet në tre raundet e para, ku së paku duhen 84 vota. Sipas tij vetëm në këtë mënyrë, procesi do të jetë konsensual, pasi në 3 raundet e para, mazhoranca ka të nevojshme edhe votat e opozitës.

“Është një fatkeqësi që raundi i parë mbaron në 5 minuta e 27 sekonda. Kuptohet se çfarë qëndron pas kësaj. Ne bëmë detyrimin tonë, që të merrnim pjesë në këtë proces. Arsyetimi është i thjeshtë, kjo mazhorancë nuk e ka legjitimitetin për të zgjedhur presidentin.

Qëndrimi ynë është i qartë, ne kemi bërë një deklaratë që ja kemi cuar edhe mazhorancës. Nëse duam të zgjedhim presidentin e të gjithë shqiptarëve duhet të kemi një proces konsensual.Ka kuptim që presidenti të zgjidhet në tre raundet e para që ai të zgjidhet në mënyrë konsensuale.Ne kemi qenë në pritje të qëndrimit që mazhoranca do të mbante ndaj qëndrimit tonë. Ne propozojmë që të zgjidhjet në tre raundet e para, propozimi të jetë i yni që mos ti hedhë hi syve. Ne jemi në pritje të qëndrimit të tyre. Propozimi të jetë i joni, por pa përjashtuar palë.Nuk do të duhet një proces i tillë, kam një emër me jep një emër. Ne kemi një sërë kriteresh.”, tha Alibeaj pas mbylljes së seancës për presidentin e ri.

Ndërkohë në seancën e posaçme në Kuvend deputetja socialiste, Klotida Bushka në emër të Komisionit të Ligjeve tha se deri mëngjesin e sotëm në orën 09:00 nuk u paraqit asnjë kandidaturë, afat ky i përcaktuar më herët nga Konferenca e Kryetarëve.

Ndërsa, kryeparlamentarja Lindita Nikolli e quajti të mbyllur raundin e parë për shkak të mos pasjes së një kandidature për postin e Kreut të Shtetit.

Politike #Aibeaj #Presidenti i ri