Politike14 Qershor 2022, 12:30

Reforma e re Territoriale/ Balla: 61 bashki janë shumë, nuk duhet të paguajmë administrata kot

Shkruar nga Pamfleti

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, deklaroi nga selia e Kuvendit këtë të martë opinionin e tij personal në lidhje me ndarjen e re territoriale të vendit.

Balla u shpreh se në optikën e tij 61 bashki janë shumë, pasi bashki të vogla shumë afër njëra tjetrës paguajnë dy administrata kot.

“Është e padrejtë që të dal sot para jush dhe të them që jam kundër rritjes apo zvogëlimit. Nëse më pyesin mua si qytetar edhe 61 janë shumë. Bashki shumë të vogla ngjitur me njëra-tjetrën që mbajnë dy administrata kot. Ky është vlerësimi imi personal, por askush prej nesh duhet të gjykojë punën e komisionit. E theksoj puna e komisionit do të jetë për shërbim më të mirë për qytetarin pasi në duhet të çojmë deri në fshatin më të vogël dhe të largët shërbimet e duhura për qytetarin. Këshillimi kombëtar është instrument i vonuar, por është iniciativë e përgjegjshme e qeverisë, që e kemi ndërmarre për të marrë opinionin e plotë të qytetarit. Siç e ka thënë kryeministri do jetë dhe faza tjetër e mbledhjes së opinionit të qytetarëve për çështje me rëndësi. Edhe çështje që lidhem me reformën territoriale dhe shërbimin në qytet duhen diskutuar. Komisioni i posaçëm i reformës territoriale mos ta fokusojë punën vetëm te PD do 100 e PS do 40, por ta shohi pak më tepër këtë detyrë që i ka dhënë Kuvendi. Ky është një ligj që kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend.”, tha Balla.

Balla zbuloi gjithashtu se zgjedhjet e ardhshme lokale mund të mbahen mes datave 15 prill dhe 15 maj.

“Të mos harrojmë se zgjedhjet e qeverisjes vendore nuk kemi asnjë lloj problematike.

Që do të thotë se çdo gjë është gati, në kuptimin e kuadrit zgjedhor për mbajtjen e zgjedhjes së qeverisjes vendore në pranverën e ardhshme.

Nëse përllogaritim afatet kur është konstatuat Këshilli i fundit Bashkiak, unë besoj se mes 15 prillit dhe 15 majit të vitit të ardhshëm mund të mbahen zgjedhjet e ardhshme lokale vitin tjetër”, tha Balla.

Politike #Reforma e re Territoriale #Balla