Efektivi i Policisë së Shtetit Xhulio Prela është gjetur i pajetë në zonën e Gajushit, në Lezhë. Sipas Policisë, 26 vjeçari ishte efektiv i FNSH së Shkodrës dhe dyshohet se ka humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri. Nuk dihen autorët dhe as shkaqet që mund të kenë shtyrë autorët të ekzekutojnë policin Prela. Policia ka nisur hetimin për konflikte të mundshme dhe po mbledh provat.
Prela është gjetur i vrarë në Gajush rreth orës 3 e mëngjesit të së shtunës, ndërsa trupi është dërguar në morgun e spitalit rajonal të Lezhës. Në njoftimin paraprak për ngjarjen, Policia thotë se në orën 02.20 të mëngjesit të sotëm në sallën operative janë lajmëruar për një makinë që kishte dalë nga rruga në rrugën Lezhë-Milot dhe ka përfunduar në një parcelë të mbjellë anës rrugës. Kur kanë mbërritur në vendngjarje ata kanë konstatuar trupin e pajetë të kolegut të tyre Xhulio Prela.
Menjëherë drejt vendgjarjes kanë shkuar forca të shumta Policie, FNSH-ja dhe forcat speciale RENEA.
Mësohet se një vit më parë Xhulio Prela ishte futur në Forcat e Ndërhyrjes së Shpejt të Shkodrës, ndërsa vazhdonte studimet në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, në vitin e 3-të.
Njoftimi i policisë:
Më datë 05.12.2020, rreth orës 02:20, në Sallën Operative të DVP Lezhë ka ardhur një telefonatë se në aksin rrugor Milot-Lezhë, në Gajush, një automjet ka humb kontrollin dhe ka dalë nga rruga.
Menjëherë kanë shkuar shërbimet e Policisë ku kanë konstatuar në mjetin tip “Volkwagen” shtetasin Xh.P., 26 vjeç, punonjës Policie i FNSH Shkodër, i cili kishte humbur jetën.
Nga veprimet paraprake dyshohet ka humbur jetën nga përdorimi i armës së zjarrit.
Për zbardhjen e ngjarjes është ngritur një grup i pocaçëm hetimor me ekspertët më të mirë të Policisë Kriminale nga Departamenti i Policisë Kriminale dhe të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë ku vijon intensivisht puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, mbështetur nga FNSH Shkodër dhe forcat speciale RENEA, kanë ngritur pika kontrolli dhe po kontrollojnë zonën për shoqërimin e personave të dyshuar si autorë të ngjarjes apo që mund të kenë dijeni për ngjarjen.