
Foto ilustrim
Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se e përkrahë Qeverinë sa i përket afatit për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se çfarëdo veprimi që Qeveria e Kosovës ndërmerr e përmes së cilit respektohet sovraniteti i Kosovës në veri, e ka mbështetjen e kësaj partie opozitare.
Kështu u deklarua ai të martën pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, teksa është pyetur lidhur me deklaratën e kryeministrit, Albin Kurti, se nuk do të ketë shtyrje të afatit për kthimin e targave ilegale serbe në RKS, pavarësisht se një gjë e tillë është kërkuar nga SHBA-ja dhe BE-ja.
“Secili veprim i Qeveris që duhet të ndërmerret në raport me Republikën e Serbisë padyshim se është shumë e rëndësishme të koordinohet me SHBA-në mirëpo ky koordinim të rezultojë me respektimin e sovranitetit të Kosovës. Nuk mund të lejohet në pafundësi shfrytëzimi i targave të tilla dhe çfarëdo veprimi që ndërmjet Qeveria e Kosovës që respekton sovranitetin e vendit tonë edhe në atë pjesë të Kosovës padyshim se e ka përkrahje e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Afati për ndërrim të targave përfundon më 31 tetor.