Aktualitet11 Shkurt 2023, 18:49

Revolucioni nuk bëhet me autobusë, por me frymë... dhe doktori me hallet e familjes së tij nuk frymëzon më

Shkruar nga Pamfleti
Revolucioni nuk bëhet me autobusë, por me frymë... dhe doktori me

Doktori me hallet e veta dhe të familjes së vet këtë frymë nuk e krijon dot me gjithë energjinë dhe inteligjencën kreative që nuk i mungon. Ajo nuk lëviz asnjë gjeth me ish ministra, me një oborr qesharak politikanësh pa identitet, me ish drejtorë e plotë përfitues nga ish pushteti i tij dhe PD-së…. 

Shkruan Agron Gjekmarkaj

PD e drejtuar nga Basha dhe gjithë të tjerët që sot janë në krah të Doktorit bënin shumë protesta. Disa qenë edhe të mëdha. Shumë demokratë u shqepën me gaz e mjaft të tjerë përfunduan burgjeve. Nën zë asokohe thuhej aha Basha është “i shitur” ndaj nuk e marrim Kryeministrinë dhe pushtetin.

Nga dëshpërimi vende, vende, merrej në konsideratë ky pohim. Pas 9 Shtatorit 2021 kjo u tha me forcë, haptazi nga Doktori e të gjithë ata që ishin në krah të Bashës e sot janë toptan në krah të Doktorit se në fakt partia e tij ka qenë atëherë dhe sot. Gomarëri të mendosh ndryshe. Javë pas jave u shtuan zërat që rrihnin gjoksin me Doktorin në krye që thoshin “tani që kemi opozitë të vërtetë të pashitur e kapur, do t’i punojmë qindin qeverisë, protestat nuk do jenë shëtitje. Ato do kenë konkluzion- fitoren”.

U bënë disa protesta të cilat njëra pas tjetrës zvogëlohen! Protestuesit gjithnjë e më të paktë e më të zhgënjyer kthen në shtëpi. Pra Doktori dhe grupi pas tij janë të ndershëm. Ata nuk janë të kapur nga qeveria si disa prej nesh që nuk ju bëmë krah. Prapë Qeveria nuk bie. Në fakt Basha nuk krijoji frymë se më shumë se i kapur nga Rama konsiderohej totalisht pa autoritet, e si i tillë i kontrolluar nga Doktori të cilin nuk arriti ta tejkalonte kurrë as në vese as në virtyte politike.

Doktori është gjithmonë aty në partinë e tij pronë. E themeloi bashkë me shumë intelektual të tjerë po e zaptoi u tregua më i zoti. Ky vit dëshmoi që militantët e kësaj partie ai i ka. Me shumë kurajo e guxim ai po përpiqet t’u thotë shqiptarëve ngrihuni në revolucion kundër një qeverie që në fakt duhej të ishte përmbysur me vakt nëse opozita do ishte bindëse. Ata nuk ngrihen. Revolucioni nuk bëhet me autobusë, po me frymë. Doktori me hallet e veta dhe të familjes së vet këtë frymë nuk e krijon dot me gjithë energjinë dhe inteligjencën kreative që nuk i mungon. Ajo nuk lëviz asnjë gjeth me ish ministra, me një oborr qesharak politikanësh pa identitet, me ish drejtorë e plotë përfitues nga ish pushteti i tij dhe PD-së. Shqiptarët në shumicë, demokratët po aq nuk ndihen të detyruar ndaj tyre më, as ndaj shumë politikanëve të PD që po shkojnë drejt moshës së mesme e pleqërisë të kapur pas drejtimit të saj. Thuhet u rithemelua PD ?! Thuhet!! Po çfarë është rithemeluar tek ajo pjesë e identifikuar me “Foltoren”?! U rikthye Doktori de jure. Pas tij janë ata që i kanë rendur gjithmonë. Ndonjë ka filluar ta imitojë edhe kur flet me duar, me gisht, me fraza.

Opozita e ka jetike jo vetëm të bashkohet por të purifikohet, të dalë nga interesat e hallet personale të disa individeve, të kthehet në aset publik, të ikë nga folklori drejt seriozitetit, të hapet me konkurrencë e jo të mbyllet me pilotim. Shoqëria po kërkon një opozitë për ta udhëhequr drejt ndryshimit e shpresës. Por ajo ul sytë përdhe kur sheh karikaturat e ndryshimit. Revolucioni do mbetet një gënjeshtër. Fajtor për dështimin e tij do gjinden shumë, e ndiej veten kandidat për këtë proces. Shqiptarët janë lodhur me të njëjtën çetë personazhesh tash 32 vjet. Nuk i honepsin më në retoriken, gënjeshtrat, pasurinë dhe matrahullëkun që i karakterizon.

Nuk mjafton më një PD e bashkuar se e ndarë jo e jo por një PD e re, një opozitë e re përtej personazheve kryesorë e dytësorë që e kanë bërë zap në këto dekada sigurisht me njërzillëkun për ti falënderuar për ç’mirë bënë dhe “pafytyrësinë” e të kërkuarit që të rrinë në shtëpi. Po vazhduam kështu Edi Rama herën tjetër do shfaqet me një skulpturë tjetër duke na ekspozuar hallatet e saj të bëshme se sot ishte përmbajtur.

Çdo premtim i pambajtur i ul vlerën atij që do bëhet. Çdo dështim i jep forcë kundërshtarit. Të dyja bashkë i zgjasin jetën qeverisë dhe lidershipit të Opozitës që nuk bind. Nëse revolucioni duhet vetëm për kaq, hajt gëzuar! Nuk është trimëri e madhe të bësh kasandrën kur gjërat shihem qartë po edhe të thuash fluturon gomari kur ai po ngordh me ngjan poshtërsi! Të heshtësh është opsion i përkohshëm por jo afatgjatë. Herë pas here e vërteta ti shton armiqtë. Shumëkush të gjykon me fjalët e tjetrit, me sytë e tij të sheh. Nga dëshpërimi të shajnë, të etiketojnë por anë njerëzore është. Po dehja duhet të marrë fund. Sa më parë të bëhemi esëll aq më shpejt do të jemi Opozita që vendi kërkon dhe ndryshimi pret. Të dehur do mbetemi të mundur. Kaq gjatë të mundur vëmë në rrezik vendin dhe natyrën e tij politike duke i dhënë fuqi kësaj qeverie të shndërrohet në regjim.

Forum Berisha Gjekmarkaj Protesta