
"Racizmin e dikurshëm të Lëkurës do ta zëvendësojë racizmi i Kuletës?", Rexhep Qosja i zhgënjyer reagon ndaj letrës së 30 shkrimtarëve dhe publicistëve
Kosova dështoi të anëtarësohet në INTERPOL, pasi nuk arriti që të sigurojë dy të tretat e votave, sa ishin të nevojshme për pranimin në këtë organizatë. Në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it, që u mbajt të martën në Dubai, në raundin e parë të votimeve Kosova arriti të marrë 76 vota pro, 56 kundër, ndërsa 22 abstenuan. Ndërsa në raundin e dytë të votimit, Kosova siguroi 68 vota pro, 51 kundër dhe 16 abstenime. Zyrtarët në Prishtinë, lidhur me mospranimin e Kosovës në këtë organizëm fajësuan “fushatën e egër” të zhvilluar nga Beogradi zyrtar kundër pranimit të Kosovës.
Shkruan Rexhep Qosja
Mjerisht Kosova dështoi edhe për të tretën herë për t’u bërë anëtare e organizëtës ndërkombëtare të Interpolit.
Të gjithë ata njerëz të politikës, të pozitës e të opozitës dhe të gjithë ata analistë që folën për këtë dështim e fajësuan Serbinë!
Dhe duke e fajësuar ata në të vërtetë e ngritën, e madhëruan, e lavdëruan politikën e saj. Serbinë e vogël, Serbinë e shpërfillur prej shumë shteteve në botë sot, ata e bënë shumë të çmuar, sepse e bënë shumë ndikuese e shumë efikase politikën e saj të jashtme!
S’deshën të pohojnë se fajtore për këtë dështim të Kosovës është vetë Kosova!
Politika e jashtme e çdo shteti është shprehje e politikës së brendshme. Politika e jashtme e çdo shteti është fryt i mrekullueshëm apo plotësisht i dështuar i politikës së brendshme.
E politika e brendshme e Kosovës, e komprometuar prej korrupsionit, nepotizmit, pushtimit të shumicës së medieve prej pushtetit e pushtetarëve, të privilegjeve të shumëllojshme të pushtetarëve, të pasurimit marramendës të politikanëve duke qenë në pozita politike, të privatizimit të shtetit pashmangshëm e ka komprometuar edhe politikën e jashtme të Kosovës.