Aktualitet 2 Dhjetor 2022, 08:15

Rezoluta për Shqipërinë, Tabaku flet nga Brukseli: Nëse provohet shkelja në Portin e Durrësit, do të ketë penalitete të rënda

Shkruar nga Pamfleti
Rezoluta për Shqipërinë, Tabaku flet nga Brukseli: Nëse

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku nga Brukseli ka folur për rezolutën me disa amendamente të propozuara nga Partia Demokratike që u miratua dje për Shqipërinë.

Tabaku shprehet se debatet kryesore ishin për Portin e Durrësit, pasaportat e arta dhe amnistinë fiskale.

Vetëm pak ditë përpara se krerët e vendeve të BE-së dhe shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen të vizitojnë Tiranën, Shqipëria dhe rruga e saj europiane ishin subjekt diskutimi në Bruksel.

Rezoluta me disa amendime të propozuara nga Partia Demokratike, kishte me në fokus veç të tjerash rritjen e sigurisë ndaj sulmeve kibernetike dhe marrjen e masave për ruajtjen e të dhënave personale.

“Patëm shumë diskutime sot, dhe në seancë publike, edhe jashtë seancës publike për dy elementë kryesorë.”, tha Tabaku.

“E para lidhej me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. A ka nisur Komisioni Europian një hetim për Portin e Durrësit për shkelje të MSA-së. A ka pasur një hap të marrë nga Komisioni në këtë hetim. Shkelja e MSA-së është e rëndë. Diçka e tillë nuk është evidentuar dhe provuar asnjëherë në Shqipëri deri më sot, por nëse provohet këtë herë, vjen me penalitet të rënda. Nëse do të provohej me Portin e Durrësit do të vinte me penalitete dhe do të vinte në momentin më të keq të mundshëm, teksa janë hapur bisedimet me BE-në.

Gjithashtu, patëm diskutime për pasaportat e arta, për amnistinë fiskale dhe ajo që është më e rëndësishmja, ne kemi ardhur që të diskutojmë dhe të debatojmë është rezoluta e përbashkët. Dhe miratimi i rezolutës së përbashkët me 11 amendamente të Partisë Demokratike ku janë ngritur shqetësimet tona ndër vite, është arritje shumë e rëndësishme për PD-në dhe për opozitën.”, u shpreh demokratja.

Tabaku theksoi edhe rëndësinë e zbatimit të kësaj rezolute:

“Ka vend për të përgëzuar faktin që këto shqetësime të ngritura në këtë nivel dhe të miratuara me një rezolutë të përbashkët, vendosën një theks ndryshe për hapjen e negociatave (të Shqipërisë me BE-në). Vendos dhe një mbikëqyrje e kontroll ndryshe.

Shqetësimi ynë është që këto të mos mbeten vetëm në një rezolutë, por të shohim se si në praktikë këto do të përkthehen në detyrime dhe për qeverinë shqiptare.”, theksoi deputetja.

Rezoluta e miratuar për Shqipërinë trajton çështje dhe shqetësime që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve; thekson, në këtë drejtim, rëndësinë e forcimit të transparencës, llogaridhënies dhe gjithë përfshirjes së procesit; nënvizon rolin e Kuvendit në sigurimin e një kontakti të gjerë me qytetarët në këtë drejtim e inkurajon BE-në të vazhdojë të përshpejtojë ritmin e procesit të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, bazuar në kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e mbështetjes në merita.

Rezoluta po kështu nënvizon përgjegjësinë e përbashkët të forcave politike të Shqipërisë për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv politik, e rikujton rëndësinë e një qasjeje konsensuale ndaj reformës zgjedhore, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias,(përfshirë hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të blerjes së votës.

Kryesore bruksel Jorida Tabaku Rezoluta për Shqipërinë