Aktualitet21 Prill 2018, 05:39

Rezultatet e Vettingut alarmojnë gjyqtarët dhe prokurorët, braktisin hetimet dhe nisin përgatitjet e largimit

Shkruar nga Pamfleti
Rezultatet e Vettingut alarmojnë gjyqtarët dhe prokurorët,

Rezultatet e deritanishme të procesit të vetingut kanë ngjallur panik në radhët e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Deri në këto momente Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar dy gjyqtarë dhe një prokurore, duke përcjellë kështu mesazhin se asnjë prej të korruptuarve nuk do të ketë mundësi t’i shpëtojë ndëshkimit.

 

Pikërisht për këtë arsye krerët e gjykatave dhe prokurorive në vend kanë vënë re se vartësit e tyre kanë filluar të zvarrisin çështjet. I pari që ka dhënë alarmin është drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i cili ka zbuluar këtë “fenomen” në raportin vjetor që i ka dërguar kryeprokurores së përkohshme, Arta Marku. Në raportimin për punën e kryer gjatë vitit 2017, ai thekson se prokurorët ndjehen të pasigurt për të ardhmen e punës së tyre për shkak të reformës në drejtësi dhe prandaj shihet një neglizhim për hetimet.

 

“Megjithëse e pajustifikuar te secili prokuror dhe oficer i policisë gjyqësore, mund të them se janë evidentuar luhatje të angazhimit dhe vullnetit në punë si rezultat e ndryshime kushtetuese dhe ligjeve paketë e reformës në drejtësi, ku parashikohet dhe ndryshimi i funksionimit të Prokurorisë Për Krime të Rënda. Pritja për implementimin përfundimtar ka ndikuar në lidhje me pasigurinë e përfshirjes në të ardhmen në struktura të prokurorëve dhe policisë gjyqësore një ndikim i cili ka ulur vullnetin dhe eficensën në shpejtësinë e hetimeve”, thuhet në raport.

 

 Prokurorët e demotivuar

 

Po ashtu, Hajdarmataj nënvizon se një tjetër arsye se pse ndodh kjo zvarritje e punës nga ana e prokurorëve është edhe “stigmatizimi” që politikanët i bëjnë sistemit të drejtësisë, duke e konsideruar të korruptuar. Sipas tij, kjo i demotivon punonjësit dhe jep një efekt negativ në punën e tyre. “Po ashtu kam bindje se edhe ndryshimet që ka pësuar K. Pr.

 

Penale ka ndikuar paksa në shpejtësinë e hetimit, pasi nëse Gjykata e Lartë vendos ndryshe nga dispozita kalimtarë një numër i madh i procedimeve aktualisht në hetim në këtë prokurori, transferohet prokurorive të rretheve të tjera. Imazhi i përfolur gjatë gjithë kohës nga faktori politik, duke e cilësuar sistemin si të korruptuar dhe mosfunksional në tërësi ka dhënë efektet e veta negative në demotivimin në punë të prokurorëve dhe oficerëve të policisë gjyqësore”, shprehet Besim Hajdarmataj në raportin që ka përpiluar për t’ia dorëzuar Arta Markut.

 

Arsye të tjera

 

Në raportin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për vitin 2017 shtohen edhe disa arsye të tjera që i “detyrojnë” prokurorët të mos e kryejnë detyrën siç duhet. Midis të tjerash, aty përmenden edhe lëvizjet e oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore në Policinë e Shtetit. “Disa nga arsyet e tjera që ndikojnë në zvarritjen e hetimeve, janë lëvizjet në detyrë të oficerëve të shërbimeve të policisë gjyqësore, në Policinë e Shtetit, ku gjatë vitit 2017 disa sektor në DPP Shtetit dhe në policitë vendore kanë ndryshuar tërësisht, duke i lënë procedimet në fazat më delikate të hetimeve të ndjekura për periudha të gjata kohe dhe me hetime proaktive.

 

Në shumë raste lëvizjet e tyre nuk janë plotësuar me oficerë të tjerë dhe ka sjellë për pasojë zvarritje në kohë të veprimeve dhe hetimeve. Ka një problematike të theksuar me transkriptimin e përgjimeve të zgjatura në kohë, duke mos i dhënë mundësinë prokurorit të operojë me verifikimin e fakteve që kanë dale nga përgjimet dhe të mos ketë mundësi të vendosë për zgjidhjen e çështjes në kohë të arsyeshme”, thuhet në raport./SOT

Aktualitet gjyqtarët prokurorët Vettingu