Aktualitet 8 Qershor 2022, 18:10

Riaktivizohet “lufta” për kapjen e Kushtetueses, nxitimi i Metës pas zgjedhjes së Begajt dhe manovrat e Ramës

Shkruar nga Pamfleti
Riaktivizohet “lufta” për kapjen e Kushtetueses, nxitimi i

Qeveria dhe Presidenca i janë rikthyer luftës së fshehtë për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Ilir Meta ka bërë një betejë të ashpër për të futur aty besnikët e tij dhe deri diku ja doli, pasi i mbijetoi shkarkimit.

Por teksa i kanë mbetur më pak se dy muaj në detyrë, Meta ka rinisur tentativat për të emëruar anëtarin e radhës të Gjykatës Kushtetuese para se të dorëzojë detyrën.

Në fund të vitit që lamë pas, Meta shpalli garën për vendin e Përparim Kalos, të cilit i ka mbarur mandati. Në shpalljen e Presidencës shfaqën interes 10 kandidatë, të cilët janë: Ardita Buna, Arta Marku, Arta Vorpsi, Besnik Dervishi, Elida Take, Gent Ibrahimi, Juliana Latifaj, Maksim Qoku, Manjola Xhaxho dhe Sandër Beci.

Në shkurt emrat u dërguan në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Por deri tani procesi është bllokuar për plotësimin e kësaj vakance, pasi po bëhet një luftë e fortë në prapaskenë.

Pak ditë më parë, Meta publikoi një letër që ja dërgonte qeverisë dhe kreut të Kadastrës, Artan Lame, ku ngriti si shqetësim faktin se Kadastra nuk i kthente përgjigje KED mbi informacionet që ajo i kishte kërkuar.

Është e papranueshme që shumica e Drejtorive Vendore të ASHK-së e kanë përmbushur detyrimin ligjor ndaj KED, ndërkohë që një pjesë shumë e vogël heziton të kthejë përgjigje duke bllokuar të gjithë procesin.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk duhet kurrsesi të pengohet nga institucionet e treta prej të cilëve siguron informacion për verifikimin e kandidatëve, pavarësisht numrit të tyre, duke bërë që të shkelen ritmet që dikton Kushtetuta dhe afatet që përcakton ligji nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar, si dhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, në përmbylljen e një procesi me rëndësi jetike për vendin”, shprehej Meta.

Por çfarë fshihet në të vërtetë pas kësaj letre?

Sipas procedurës, KED bën verifikime për kandidatët për në Kushtetuese dhe kërkon të dhëna nga shumë institucione. Por letra e Metës dëshmon se si presidenti ashtu dhe qeveria po punojnë në prapaskenë për të kapur emrin e ri që do shkojë në Kushtetuese.

Meta më 24 korrik duhet të dorëzojë detyrën dhe për këtë arsye ka nisur presionet që të mos krijohen vonesa. Shpresat e Metës janë që KED të mbyllë verifikimin dhe renditjen e kandidatëve brenda korrikut në mënyrë që të jetë ai që të emërojë anëtarin e radhës në Kushtetuese dhe jo Bajram Begaj. Bëhet fjalë për një prej gjykatave më të rëndësishme në vend dhe Meta para largimit kërkon që të ketë aty dikë të besuar, pasi nuk i dihet se si mund të vijnë punët me drejtësinë.

Nga ana tjetër kemi qeverinë, e cila po përdor institucionet e veta për të vonuar procesin. Qëllimi i qeverisë është që anëtari i ri të zgjidhet nga presidenti Bajram Begaj dhe jo nga Meta. Pra, institucionet shtetërore po vonojnë kthimin e përgjigjeve në mënyrë që KED të mos e mbyllë procesin brenda korrikut. Nëse procedurat zgjaten, Begaj do të jetë në test pastaj për të treguar se nuk është nën hyqmin e qeverisë.

Por nga ana tjetër, konfirmohet se politika tenton sërish të shtrijë tentakulat në drejtësi, pavarësisht se u bë një reformë që gjyqësori të shkëputet nga epoka e vjetër.

Kryesore kushtetuese Meta Rama