Kosova11 Dhjetor 2022, 18:28

Rikthimi i ushtrisë serbe? Mehaj ia bën të qartë Serbisë: Periudhës së shantazheve dhe kërcënimit, i ka ardhur fundi!

Shkruar nga Pamfleti
Rikthimi i ushtrisë serbe? Mehaj ia bën të qartë

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj e ka konsideruar të papranueshme “kërkesën” e zyrtarëve serb për rikthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Mehaj iu është bashkuar qëndrimeve të kreut të qeverisë së Kosovës, Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, duke shtuar se politika serbe duhet të ndalë së mbështeturi grupet kriminale në Veri.

Sipas Mehajt, ka ardhur fundi i periudhës së shantazheve dhe kërcënimeve nga ana e Vuçiç.

“Periudhës së shantazheve dhe kërcënimit, i ka ardhur fundi. Në Republikën e Kosovës nuk do të lejohet më veprimi i grupeve kriminale serbe që udhëhiqen nga Beogradi, e asnjë formë e ilegalitetit që pengon integrimin e komunitetit serb në veri të vendit, dhe që ka për qëllim sabotimin e institucioneve”, shprehet Mehaj.

I ndalur tek kërcënimet, ministri kosovar shprehet se atdhetarizmi nuk i ka munguar asnjëherë dhe s’ka për t’i munguar kurrë popullit të Kosovës.

“Nuk do të ndodhin problemë ngase nuk do të lejohen asnjëherë. Shteti i Republikës së Kosovës në gjithë gjatësinë e vet territoriale ka burra e gra, pjesëtarë të Policisë e të Ushtrisë, që i dalin për zot në çdo kohë, që e duan atdheun e mbrojnë qytetarët e vet”, ka thënë Mehaj.

Prishtine Albin Kurti Armend Mehaj Vjosa Osmani

Kosova