Aktualitet28 Qershor 2022, 19:37

Rikujtimi makabër i tragjedisë së Elbasanit

Shkruar nga Pamfleti
Rikujtimi makabër i tragjedisë së Elbasanit

Duhej vrarë Pjerin Xhuvani? Si ka mundësi që të gjithë këta që shtrojnë këtë tezë, pra tezën që Xhuvani dhe njerëzit e tij kishin në plan të manipulojnë zgjedhjet, e kanë prova, nuk e kanë raportuar historinë të plotë dhe ta çojnë denoncimin në prokurori?

Shkruan Ylli Pata

Ka pasur zhvillime të reja këto ditë në lidhje me procesin apo dosjen hetimore që përfshin tragjedinë e tmerrshme të Elbasanit që ndodhi në datën 21 prill 2021.

Pikërisht 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të një vitit më parë. Prokuroria ka marrë të pandehur, dhe gjykata ka dhënë masa sigurie edhe për disa oficerë madje drejtues të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit.

Që do të thotë se kemi të bëjmë me një zgjerim të hetimeve, ku përveçse autorit të krimit, pra vrasjes së Pjerin Xhuvanit, drejtësia ka marrë në hetim, madje hetim mëse aktiv edhe drejtues të Policisë së Qarkut.

Nuk di si të quhet kjo; pozitive apo negative, por këtu kemi të bëjmë me një zhvillim që shkon përtej veprës penale, duke ecur në ato që quhen “veprime apo mos veprime” të organeve shtetërore.

Disa emra të njohur mediatik, që janë atashuar tashmë si përkrahës ose pjesë të mediave të Sali Berishës, e kanë rimarrë lajmin a thua se kanë zbuluar se Pjerin Xhuvanin e vrau policia.

Ja vlen realisht të ndalemi në atë ngjarje të tmerrshme, jo thjesht tragjike, ku një personi i drejtohet pistoleta dhe mbi të bien disa plumba thjesht sepse është një mbështetës i Partisë Socialiste.

Autori i krimit ka emër, mbiemër, CV, historik, por edhe dinjitet. Ai është Arber Papleka, një oficer me përvojë i policisë shqiptare në lirim,  i cili sapo ka kryer vrasjen është dorëzuar tek reparti elitë RENEA të cilit i përkiste, ka dalë në gjyq dhe ka dhënë një version sipas të cilit e ka vrarë për vetëmbrojtje.

Në thelb Papleka ka shprehur në një farë mënyrë pendesën apo padëshirën e tij për të vrarë një shtetas tjetër. E këtu është realisht tragjedia e një njeriu, i cili realisht nuk ka përse ta donte këtë gjëmë, edhe sikur PD nëse fitonte zgjedhjet ta bënte drejtor policie.

Nuk do të qëndronte dot në detyrë, pasi vetëm zhurma në media dhe parlament do ta prishte karrierën e një oficeri që para ngjarjes kishte një të shkuar brilante ushtarake.

Megjithatë sot, disa emra të njohur mediatik, janë entuziazmuar nga inkriminimi i drejtuesve dhe oficerëve të policisë së Elbasanit.

Por në fakt inkriminimi i tyre ndodh sepse ata janë më të lehtët për tu inkriminuar nga SPAK, pasi merren me atë që ata s’kanë bërë. Po kush e vrau Pjerin Xhuvanin? Arbër Papleka! Kush e ngriti grupin e armatosur për të mbrojtur votën? Kush e galvanizoi klimën që çoi deri në atë krim të tmerrshëm. i mbani mend besoj komentet pak minuta pas vrasjes së Xhuvanit, ishim pak ditë para zgjedhjeve. Thanë se do të vazhdojmë vrasjet, u krijua një klimë e tmerrshme që sipas gjasave e menaxhoi policia e Elbasanit.

Nuk bëhet fjalë fare për të mbrojtur individë, por për të folur për raportim, asnjëri nga këto apo ato që kanë akuzuar policinë dhe prokurorinë se kanë mbrojtur grupin rival, pra atë grup që Pjerin Xhuvani i është kundërvënë grupit të PD, nuk flet për krimin. Por thotë se Xhuvani dhe njerëzit e tij kishin në bagazh reklama të PS dhe numra kartash identiteti Edhe?

Duhej vrarë Pjerin Xhuvani? Si ka mundësi që të gjithë këta që shtrojnë këtë tezë, pra tezën që Xhuvani dhe njerëzit e tij kishin në plan të manipulojnë zgjedhjet, e kanë prova, nuk e kanë raportuar historinë të plotë dhe ta çojnë denoncimin në prokurori?

Por edhe sikur ta bënin, a e justifikon e gjitha kjo vrasjen e Pjerin Xhuvanit? Kjo është realisht pyetja, kjo është realisht çështja. Pjerin Xhuvani nuk është viktima e parë e politikës apo përplasjes zgjedhore në Shqipëri.

Në çdo zgjedhje ka pasur viktima, nga njëra e tjetra palë. Vrasja është krimi real, që as justifikohet, as dënohet, as amnistohet, por sipas Kodit Penal dënohet me burg të gjatë nga 15 deri burgim të përjetshëm.

I mbani mend furistradat e zeza apo mercedesat gri që xhironin gomat në fushatën  e 25 prillit 2021? Të mbushur me ish-policë, ish-punonjës të SHIK apo edhe njerëz të krimit që i pamë edhe më 8 janar. Ata kërkonin vendet e punës që sipas tyre u ishte marrë pa të drejtë.

Zgjerimi i hetimeve sot nga SPAK edhe për Policinë e Elbasanit është një lajm vërtet i keq për ata efektivë, por në fund të fundit i jep hetimit një horizont më të gjerë. Por ky zhvillim është pjesë e jo thelb i tragjedisë së 21 prillit 2021, që mbetet vrasja e Pjerin Xhuvanit!

Forum #Pata #Xhuvni