Editorial13 Tetor 2022, 10:43

Ripajtimi i Edi Ramës me Erdogan shqetëson SHBA dhe BE

Shkruar nga Pamfleti
Ripajtimi i Edi Ramës me Erdogan shqetëson SHBA dhe BE

Ripajtimi i Edi Ramës me Erdogan shqetëson SHBA dhe BE

Takimi i Ramës në pallatin presidencial në Ankara, që po shitet si enigmatik, është krejt i qartë: Karshillëk antiperëndimor!

Lajmi i para ca muajve që Edi Rama ishte prishur me Erdoganin, ishte realisht një zhvillim pozitiv për Shqipërinë. Edhe pse në kundërtendencë ai prodhoi lëvizje paralele duke afruar Ilir Metën me disa nga korrentet erdoganiste në vend.

Gjithçka erdhi pasi SHBA i tregoi vendin kryeministrit të Shqipërisë, në lidhje me kërcënimet për të ndërhyrë në largimin e drejtuesve të Komunitetit Musliman Shqiptar. Stepja e Ramës, e shqetësoi mjaft sulltanin turk, i cili nisi t’i shtërngojë gjërat e t’i bjerë pas shpinës dostit të tij të Tiranës.

E siç mësohet, pati edhe manovra për të nxitur një revoltë nga brenda në PS, duke mbështetur financiarisht njerëz që mund ta merrnin këtë përsipër.

Megjithatë, përpos intrigave të pallateve apo divaneve të sulltanëve, prishja e kryeministrit të Shqipërisë me Erdoganin ishte një lajm i mirë, pasi krijonte më shumë hapësirë për korrentin properëndimor në vend, si dhe mbante larg një model të infektuar autokracie, si Rexhep Tajipi i Ankarasë.

E gjërat nuk u dukën se po lëviznin keq, pasi filluan të riaktivizohen projekte perëndimore, që në pamje të pare dukeshin të vogla, por që fuqinë e rrezatimit e kanë të madh. Si marrëveshja, e bërë fakt tashmë për ardhjen e gjigandit italian RAI në Shqipëri, duke lejuar valët e tij për të gjithë qytetarët shqiptarë, nëpërmjet riaktivizimit të antenave.

Ardhja e RAI-t është një sinjal shumë i mirë, pasi përveç se riaktivizon një dritare kulture e qytetërimi që shqiptarët e kanë për zemër,  ka gjasa të bëhet sërish model për mediat dhe televizionet shqiptare. Të cilat prej kohësh u janë kthyer modeleve turko- arabe të mënyrës së debatit, poteres, zhurmës, apo edhe për telenovelat turke që nuk reshtin në asnjë television.

E duket se ky zhvillim e ka shqetësuar Ankaranë, e cila sa erdhi Erdogani në pushtet, krijoi teorinë e “strategjisë së thellë” të influences, apo ai që quhet neo- otomanizim. Duke sponsorizuar parti e grupe fetare për të mbajtur gjallë adhurimin në lidhjen me Turqinë, duke financuar objekte kulti fetare pafund, në të cilat imponohet arkitektura mesjetare otomane, e natyrisht duke sjellë prodhimet surrogate të telenovelave të tipit “qyrre e lot” që nxjerr pa fund makina propagandistike e sulltanit.

Nuk është aspak rastësi që me Ramën u pajtua pikërisht kur amerikanët nisën ta godasin ashpër kryeministrin.

E siç bëjnë e kanë bërë autokratët, hapin thesin e premtojnë. Operacioni anti- Gylen është i gjithi një operacion sekuestrimi dhe injektimi parash nga Stambolli për të marrë objektet arsimore të Gylenit në Shqipëri.

Pronari i ri i këtyre shkollave nuk kishte para që t’i jepte rrogat futbollistëve të tij të Flamurtarit, sot ka aq sa për të blerë institucionet arësimore më të mira e më cilësore në vend. Ku i mori paratë? Po dronët ‘Bajraktar’ që sulltani i lëshon sikur te jenë shega devedishe, çfarë janë? Por ka dhe më. Pasi siç mësohet, fushata e ardhshme për bashkitë do të merret përsipër nga milionat që fondacionet e Erdoganit qarkullojnë këtu, do të vihen në rresht besimtarë e imamë siç bënë në 2021 për të “votuar Edin, se na ka thënë sulltani?”. Pasi Erdoganit i intereson përhapja e modelit të tij, jo vetëm neo-otoman, por edhe autokratik e me liri të cunguara. Ndryshe mbetet vetëm dhe pushteti i rrezikohet shumë. E pikërisht ai takim i Ramës në pallatin presidencial në Ankara, që po shitet si enigmatik është krejt i qartë. Karshillëk antiperëndimor, jo demokratik e jo liberal ndaj Perëndimit, SHBA-së dhe vendeve të BE-së, të cilët po rezistojnë fort që Shqipëria të mos kthehet në një lavatriçe gjigande parash me të ashtuquajturin “ligj të amnistisë fiskale”…/Pamfleti

Editorial #Ripajtimi i Edi Ramës me Erdogan #shqetëson SHBA dhe BE

Editorial