Kampionati Europian do të zhvillohet verën e ardhshme, ndërsa trajneri i Italisë, Roberto Mançini e sheh këtë vendim si të drejtë.
“Koronavirusi ka shkaktuar shumë të vdekur dhe ka sjellë trishtim në shumë familje italiane, ndaj mendoj se gjithçka u vendos, ka qenë e drejtë. Mendoj se shtyrja do të na shërbejë shumë, pasi procesin e rinovimit ne e kemi nisur me vonesë dhe kemi shumë lojtarë të rinj, që deri vitin e ardhshëm, do të kenë më shumë eksperiencë”, deklaroi tekniku italian.
Më tej, Mançini analizon lojtarët që ka në dispozicion dhe deklaron se disa prej tyre kanë nevojë të luajnë rregullisht, ndërsa për repartin e sulmit dukshëm ka nevojë për një tjetër futbollist.
“Jemi të kompletuar, por thjesht lojtarët e krahut që kemi në dispozicion, nuk po luajnë aq sa duhet në klubet e tyre. Edhe në sulm kemi mangësi, por shpresojmë që Kean të vijë në formën më të mirë. Balotelli është i jashtëzakonshëm, por ai e ka të qartë që për të qenë pjesë e kombëtares, nuk mjafton vetëm niveli i lartë teknik. Këtë vit te Brescia nuk ka bërë mirë”, tha Roberto Mancini