
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Roland Bejko ka komentuar situatën politike në vend e cila ka rezervuar mjaft ngjarje ditët e fundit.
Në lidhje me thirrjen e Shkëlzen Berishës në SPAK dhe bllokimit të foltores nga Sali Berisha në Kuvend në të njëjtën kohë, ai u shpreh se priste që ish-kryeministri të akuzonte Ramën se ka nxitur Prokurorinë e Posaçme për të hequr vëmendjen nga skandali me FBI-në.
Ai po ashtu shton se SPAK ka dosje që implikojnë të gjithë politikën shqiptare nga të gjitha krahët dhe më pas shton se kthimi i Berishës në PD i shërben personalisht atij.
“Dje ka qenë një ditë e ngarkuar, në momentin kur pashë Shkëlzen Berishën në SPAK, Berisha i madh kishte kapur foltoren dhe më pas u largua nga pudiumi dhe i la vendin të tjerëve nga grupi i tij.
Prita që Berisha të thoshte që thirrja e djalit të vet në SPAK, ishte një akuzë politike e SPAK e nxitur nga Rama, për të hequr vëmendjen nga FBI.
Më vonë mora vesh, që thirrja e Shkëlzen Berishës ka qenë më parë. Gërdeci ka ngelur në sirtarët e drejtësisë. Me drejtësinë e re besoj që çdo gjë do të shkojë në vend dhe secili të marrë dënimin e mëritur për këtë tragjedi.
Është dhe një dosje që implikon të gjithë politikën, nga Rama e Berisha, ku janë “inceneratorët”, “partizani” e të tjera. Ndaj them që kthimi i Berishës në krye të PD i shërben personalisht atij. Për ta pasur si një strehimore për t’i bërë ballë sulmeve nga drejtësia.
Klasa politike shqiptare është bërë pengesë për rritjen e Shqipërisë. E gjithë kjo që po ndodh sot është se SHBA është lodhur me këtë klasë politike”, deklaroi Bejko në studion e “Tirana Live” në ABC News.