
Rrahje, zhveshje të detyruar dhe abuzime seksuale. Mijëra emigrantë dhe azilkërkues po përballen me një rritje të frikshme dhe të paprecendetë të dhunës, në kufirin e BE-së, shkruan “The Guardian”.
Kështu ka rezultuar nga një raport që ekspozon mijëra dëbime të supozuara të paligjshme, me detaje tronditëse, përmes dëshmive nga disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë.
Aktivistët intervistuan 733 individë që përpiqeshin të arrinin Evropën në vitin 2021 dhe 2022, të cilët dhanë dëshmi të zymtë të kundërveprimeve në grup që prekën më shumë se 16 mijë të tjerë.
Sakaq, raporti ofron një përmbledhje totale prej 1 mijë e 633 individësh që tregojnë për dëbimet e paligjshme që prekin afro 25 mijë njerëz që nga viti 2017.
Atje rrëfehen rrahjet me duart e policisë dhe ndalimin në qelitë e ndyra e të mbipopulluara, teksa kërkesat për azil u shpërfillën ose u përqeshën.
Në vitin 2021, vetëm pesë për qind e të intervistuarve thanë se nuk kishin përjetuar ose dëshmuar “forcë të tepruar” gjatë dëbimit nga Evropa.
Gjatë pandemisë, “askush nuk ishte aty për të dokumentuar atë që u bë një rritje e paprecedentë e dhunës më brutale ndaj njerëzve në lëvizje përgjatë kufijve të jashtëm të BE-së”.
Raporti pretendon se rojet kufitare në 13 vende filluan të zbatojnë “taktika të tmerrshme parandaluese”, të tilla si rrahjet, zhveshja e detyruar, sulmet seksuale.
E drejta e BE-së dhe ajo ndërkombëtare parashikojnë të drejtën për të kërkuar azil dhe për të mos u detyruar të ktheheni përtej kufirit për t’u përballur me luftën ose persekutimin.
Bashkëredaktorja e raportit, Hope Barker, ka kaluar katër vjet e gjysmë duke intervistuar njerëz që kishin thënë se ishin detyruar të largoheshin nga Greqia.
Për Greqinë, ajo ka thënë se dhuna ndaj njerëzve në lëvizje ishte bërë më sistematike nga viti 2020.
Ndërkohë, OJQ-të përshkruajnë një përpjekje në rritje për të kriminalizuar dhe shtypur aktivistët që ndihmojnë njerëzit në lëvizje.
Vetë Barker vendosi të largohej nga Greqia pasi u vëzhgua dhe u vu në shënjestër nga policia për
Aktivistët pretendojnë se kthimet ilegale mund të pranohen në heshtje nga ligji i BE-së.
Ndërkaq, BE-ja po diskuton planet për të ndryshuar kodin e saj kufitar për t’i lejuar autoritetet të miratojnë më shumë kufizime kur përballen me “instrumentalizimin” e emigrantëve./The Guardian