Aktualitet17 Tetor 2022, 10:23

Rrëfimi i Izet Haxhisë: Çfarë ndodhi në 14 shtator, kush ishte telefonuesi misterioz nga SHBA që e bëri Berishën të tërhiqej

Shkruar nga Pamfleti

Rrëfimi i Izet Haxhisë: Çfarë ndodhi në 14 shtator, kush ishte telefonuesi misterioz nga SHBA që e bëri Berishën të tërhiqej

Në një nga rrëfimet e tij për grushtin e shtetit në 14 shtator 1998, Izet Haxhia dëshmitar i dorës së parë dhe një nga protagonistët kryesorë të asaj ngjarje, flet për sulmin ndaj institucioneve.

“Në mitingun mortor të Hajdarit kemi shkuar të armatosur, kemi qenë një grup rreth 150 veta, që do pushtonte institucionet shtetërore. Veprimet nuk ishin spontane, por të përgatitura nga ana e Berishës dhe të zbatuara nga ky grup i armatosur, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë; u ndihmuam nga forcat e armatosura të qeverisë Bukoshi, nën emrin e FARK-ut.

Furnizimi me armë për pjesën tjetër është bërë nga depoja që ndodhej tek Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe që ishte planifikuar të hidhej në erë më pas… – tregon Haxhia për DITA.

Ai flet për momentin e futjes së tij dhe të grupit të armatosur në Kryeministri:

“Për të ndezur luftën në këtë moment është hedhur nga ana e një polici të kohës tonë, një bombë dore në hollin e Kryeministrisë. Pas plasjes së bombës fillon lufta me muret e zyrat e Kryeministrisë, që nuk kishte kush t’i mbronte, pasi ishin braktisur. Edhe ato pak forca speciale që ndodheshin brenda, u larguan menjëherë për të shpëtuar lëkurën. Me ata ministra që kishin marrë guximin të qëndronin brenda në Kryeministri, ishte edhe ministri i atëhershëm i Kulturës e Sporteve, Edi Rama. Më vonë më thanë që kishte mbërritur te Rogneri me çorape të grisura nga ecja zbathur dhe me nxitim me sa duket. I kishin dalë këpucët nga këmba prej nxitimit gjatë ikjes nga kryeministria…”

Haxhia rrëfen edhe si krushku i Berishës Luan Malltezi një nga personat me kostum që mbanin arkivolin e Hajdarit, i cili u braktis, ishte shtirur si i vdekur dhe e gjetën shtrirë në të pëgërat e tij:

“Në mes të katrahurës ku qëllohej nga kush kishte në dorë një armë, shof një njeri me kostum të shtrirë në një pellg që m’u duk si gjak, por që doli që ishte ujë i përzier me gjëra të tjera. Ju them atyre që kisha pranë: Shifeni se më duket si i plagosur! Sepse në intervale kohe ai lëvizte ndonjë gjymtyrë. Kur afrohemi, ç’të shof! Ishte Malltezi krushku i Berishës që braktisi arkivolin dhe ishte shtrirë në një pellg, duke e shumuar këtë me lëngjet e veta që i dolën pa dashje dhe duke bërë numra si i vdekur. E ngritëm në këmbë. U lehtësuam se ai ishte shëndoshë e mirë, paçka se i dukej vetja si i plagosur nga lagia e dyfishtë…”

Izeti dëshmon se urdhërat i merrte nga Berisha:

“Nga Saliu vinin urdhra që të mos sulmohej Ministria e Brendshme, por të merrej Presidenca. Unë mundohesha të mbaja turmën para Kryeministrisë, sepse si “i mprehtë” që isha në politikë, mendoja se pas rrëzimit të qeverisë, kush do jepte miratim për qeverinë e re? Ndaj nuk lejova që turma të përparonte në drejtim të Presidencës…”

Pasi ishte marrë TVSH Izeti ka kuptuar që diçka kishte ndryshuar dhe se Berisha po tërhiqej. Ai thotë:

“…Nga TVSH marr në telefon në zyrën e Berishës, por në telefon më del e kudogjendura Linda Ihsani. I thashë më jep Berishën, por me sa kuptova nga zëri që i fliste nga prapa që pyeste se kush është dhe pasi i tha emrin tim, u kuptua që Berisha nuk donte të komunikonte me mua. Në këtë kohë nga PD filluan të mos dilnin në telefon.

U kuptua tradhtia që na kishte bërë Berisha. Jo se ishim duke bërë ndonjë vepër të mirë, përkundrazi. Por kur i futesh një rruge, edhe e gabuar qoftë, nuk duhet të shesësh ata që ke pranë, pasojat dhe të këqijat që vijnë nga prapa, duhet t’i ndash me ata që i ke futur në këtë akt kriminal ndaj shtetit.

Rreth orës gjashtë e gjysmë vjen Genc Pollo me disa persona të tjerë nga PD. Më thotë që po më dëgjove mua, lëshoje televizionin e mos lufto, sepse Berisha ka bërë marrëveshje me ndërkombëtarët dhe qeverinë dhe është tërhequr duke ju lënë juve të vetëm. – Na ka shitur, e pranon edhe ti, i thashë Gencit. Po, më tha.

I thashë Gencit, meqë qenka kështu, fol në telelefon me Evertsin dhe thuaji që do tërhiqemi, por gjatë rrugës së tërheqjes që është në drejtim të PD-së nuk dua të shof asnjë forcë policie apo ushtarake se përndryshe do hap zjarr. Pas pak më tha se Everts donte që këto t’i dëgjonte nga unë dhe, pasi ia thashë, u pranuan kushtet e mia…”

Izeti tregon në intervistën që mund të lexohet e plotë në arkivën e DITA edhe për telefonatën e famshme nga SHBA e provuar edhe nga përgjimet e SHISH. Bëhet fjalë për telefonatën që e bëri Berishën të tërhiqej. Kush ishte ky telefonues anonim kaq me ndikim te kreu i PD-së.

Haxhia thotë:

“…Unë nuk kam qenë i pranishëm në atë bisedë telefonike, pasi isha te TVSH, por me sa dëgjova më vonë në PD, telefonata me Berishën dhe që i tha të tërhiqet është bërë nga shqiptaro-malazezo-amerikani Fran Shkreli…”/ Dita

Dossier Izet Haxhia Sali Berisha SHBA