Aktualitet16 Dhjetor 2022, 00:12

"Rreth 150 mijë shqiptarë në Britani", ambasadori britanik në Tiranë: Shumë shpejt, kush shkon në Angli ilegalisht do të kthehet!

Shkruar nga Pamfleti
"Rreth 150 mijë shqiptarë në Britani", ambasadori

"Rreth 150 mijë shqiptarë në Britani", ambasadori britanik në Tiranë: Shumë shpejt, kush shkon ilegalisht në Angli do të kthehet

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith ka shpjeguar masat e qeverisë britanike për të ndalur fluksin e emigrantëve shqiptarë në kanalin e La Manshit.

Përmes një interviste për “Opinion”, ambasadori tha se në Britani janë rreth 150 mijë shqiptarë dhe shumica jetojnë në mënyrë të ligjshme. I ndalur tek ndryshimet që pritet të implementohen së fundmi ndaj azilkërkuesve, ambasadori tha se vendi i tij i mirëpret shqiptarët, të cilët udhëtojnë legalisht në Britaninë e Madhe dhe që kontribuojnë në shoqërinë britanike; sidoqoftë një pjesë e emigrantëve të paligjshëm do të kthehen dhe kjo do të ndodhë shumë shpejt.

“Përpara kësaj, njerëzit mendonin se mund të qëndronin, tani jo më”, tha King-Smith.

Pjesë nga intervista:

Blendi: Ambasador, dëshiroj t’ju pyes drejtpërdrejt për lajmet e ditëve të fundit, ato më interesantet që kanë të bëjnë me ligjin e ri për emigrantët në Britaninë e Madhe. Pas një telefonate mes kryeministrit tonë dhe kryeministrit tuaj flitet se ka një ndryshim në ligj. Çfarë do të thotë kjo? Çfarë ndryshimi do të pësojë ligji?

Ambasadori: E kam këtu komunikatën e përbashkët që kanë nxjerrë dy kryeministrat tanë dhe është me të vërtetë një komunikatë e fortë. Ka një sërë kapitujsh, por në mënyrë të veçantë do të na mundësojë të bëjmë dy gjëra për migracionin: së pari ta trajtojmë Shqipërinë si një vend të sigurt dhe së dyti, një Task Forcë e re e Përbashkët, çka nënkupton forcimin real të bashkëpunimit tonë operacional.

Blendi: Deri tani, Shqipëria, nuk ka qenë një vend i sigurt?

Ambasadori: Pra, ne kemi probleme me ligjin tonë sepse nuk ka një dispozitë për mënyrën e përcaktimit të vendeve si të sigurta, siç e kanë disa vende të tjera. Ne kemi një mekanizëm të ndryshëm dhe një proces legjislativ të ndryshëm. Ajo çka ofron ky ligj është rikonfirmimi i garancive që Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë sipas detyrimeve ndërkombëtare. Kjo nënkupton faktin se edhe Britania e Madhe do të bëjë më shumë duke ofruar mbështetje, veçanërisht kur kemi viktima të trafikimit të qenieve njerëzore ose individë të tjerë që kthehen këtu, ne do të ofrojmë më shumë mbështetje dhe ndihmë, por bëhet fjalë për shumë më tepër se kaq. Kjo ka të bëjë me bashkëpunimin tonë në mënyrë operacionale.

Blendi: Çfarë do të thotë të bashkëpunojmë dhe funksionojmë së bashku?

Ambasadori: Natyrisht, është e rëndësishme të themi  që migrimi është një çështje globale. Nuk është diçka që mund të gjejë zgjidhje vetëm nga një vend. Pra, siç mund ta keni parë muajin e kaluar, ne kemi intensifikuar bashkëpunimin me Francën përmes një marrëveshjeje. Ne po punojmë me partnerë të tjerë evropianë dhe sigurisht që dëshirojmë të punojmë shumë ngushtë me Shqipërinë.

Blendi: Si do të punoni me Shqipërinë? Në cilin drejtim?

Ambasadori: Ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë mes Policisë së Shtetit Shqiptar dhe forcave tona, ato kufitare dhe të emigracionit në mbarë vendin tonë.

Blendi: Flitet se disa zyrtarë britanikë të emigracionit do të vendosen në aeroportin e Tiranës?

Ambasadori: Pra, mendoj se kjo është keqinterpretuar. Task Forca e Përbashkët është një përpjekje shumë më e gjerë, këtu dhe në Mbretërinë e Bashkuar, ne kemi njerëz që do të punojnë në MB, një njësi e re e dedikuar në MB që aktualisht po punon, veçanërisht për të përshpejtuar proceset, por do të kemi gjithashtu bashkëpunim më të gjerë dhe këtu. Pra, po, ne tashmë kemi bashkëpunim me Aeroportin e Tiranës dhe do të bëjmë më shumë, por shkon përtej kësaj, pasi policia juaj kufitare dhe e migracionit kanë një bashkëpunim të shkëlqyer me ne. Dhe ajo çka dëshirojmë të bëjmë është t’i mbështesim dhe të zgjerojmë kapacitetet e tyre dhe do të shihni shumë në këtë drejtim në ditët në vijim.

Blendi: Çfarë do të thotë që Shqipëria është një vend i sigurt për Britaninë e Madhe, për ligjin e MB-së? Cilat do të jenë pasojat pas këtij vendimi?

Ambasadori: Shikoni, ne shpresojmë që kjo në thelb do të thotë që njerëzit të kuptojnë që të mos i ndërmarrin këto udhëtime të paligjshme që janë shumë të rrezikshme. Do ta keni parë ngjarjen shumë të trishtueshme në Kanalin e La Manshit këtë javë, dhe me të vërtetë, jemi shumë të shqetësuar për humbjet e jetës që kjo ka sjellë. Natyrisht, ndiejmë keqardhje për të gjitha…

Blendi: Kishte shqiptarë?

Ambasadori: Pra ndiejmë keqardhje për të gjitha familjet dhe miqtë e atyre që kanë humbur të dashurit, nuk kemi ende konfirmim të kombësive. Ne kemi parë raporte për individë që kanë vdekur dhe, natyrisht, jemi shumë të shqetësuar. Ne do ju përditësojmë sa më shpejt që të mundemi.

Blendi: Tani, nëse njerëz nga Shqipëriado të hyjnë në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, a do të kthehen në Shqipëri?

Ambasadori:Pra, nëse dikush shkon ilegalisht, sigurisht që do të kthehet. Ajo që sjell kjo marrëveshje është se do të ndodhë më shpejt dhe do të jetë më e qartë se këto rrugë nuk ju japin mundësinë të qëndroni në Mbretërinë e Bashkuar. Perpara kësaj, njerëzit mendonin se mund të qëndronin, tani jo më.

Blendi: Cili është ndryshimi mes të djeshmes dhe të nesërmes pas këtij vendimi?

Ambasadori: Pra, sigurisht, ne tani po punojmë shumë intensivisht për ta zbatuar, por jo gjithçka do të ndodhë menjëherë. Por disa gjëra do të ndodhin shumë shpejt. Tashmë kemi fluturime kthimi çdo javë dhe do ta intensifikojmë këtë dhe do t’i kalojmë këta numra të konsiderueshëm njerëzish që kanë shkuar ilegalisht dhe do të sigurohemi që ata të kthehen sa më shpejt në Shqipëri. Dhe nëse dikush shkon në të ardhmen, do të përballet me të njëjtën gjë.

Blendi: Ju thatë se pjesa më e madhe e komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar janë nga veriu. Cili është numri i shqiptarëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Keni statistika?

Ambasadori: Në fakt, nuk i kam shifrat e plota sepse sigurisht problemi është se shumë prej tyre janë të paligjshëm. Pra, ne nuk i kemi statistikat e plota, por ka pasur diskutime siç e dini, duke thënë se ndoshta rreth 150,000 dhe shumica sigurisht, jetojnë atje në mënyrë të ligjshme. Gjithashtu dua të citoj kryeministrin tonë pas telefonatës me kryeministrin tuaj në 1 dhjetor ku ai u shpreh se e njeh kontributin pozitiv të Komunitetit Shqiptar në jetën në Mbretërinë e Bashkuar dhe Ministren e Brendshme në Parlamentin britanik më 23 nëntor, e cila u shpreh se ne e vlerësojmë marrëdhënien me Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar në MB. Dhe ne vazhdojmë të mirëpresim shqiptarët, të cilët udhëtojnë legalisht në Britaninë e Madhe dhe që kontribuojnë në shoqërinë britanike, kështu u shpreh ajo.

Problemi ynë është me trafikantët dhe mënyrën se si ata po i shfrytëzojnë njerëzit, dhe kjo është një sfidë e përbashkët për ne dhe për vendet e tjera.

Blendi: Është normale dhe e vërtetë, por problemi qendron te Ministrja e Brendshme Braverman, i cili bëri disa deklarata, të cilat nuk u cilesuan si te pershtatshme për shtetasit shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar. Sepse nuk mund të identifikohet një komunitet me disa kriminelë apo disa trafikantë. Madje u zhvillua edhe një proteste e madhe dhe shumë popullore në Londër nga komuniteti shqiptar në muajin nëntor.

Ambasadori: Kryeministri ka shprehur keqardhjen që një pjesë e retorikës është shfrytëzuar dhe përdorur për t’i bërë njerëzit të ndihen të padëshiruar apo jo të mirëpritur. Qëndrimi i qeverisë britanike është ai që sapo ju lexova. Kryeministri njeh dhe vlerëson kontributin e vyer të pjesës dërrmuese të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar. Por edhe ne duhet të jemi të qartë. Disa nga ata që protestojnë, sigurisht po e bëjnë në mënyrë paqësore dhe ne e mirëpresim këtë në çdo kontekst. Kjo është një nga vlerat në Mbretërinë e Bashkuar. Por gjithashtu kemi parë që kriminelë dhe individë të tjerë po kërkojnë ta përdorin këtë si një mënyrë për pastruar imazhin e tyre. Pra, kjo është arsyeja pse ne duhet të fokusohemi dhe të punojmë së bashku për këto çështje.

Aktualitet Britani e Madhe emigrantë