Bota23 Prill 2022, 22:53

Rrethi i brendshëm i Putinit po tkurret dhe kritikët po shtohen, a po gatuhet një kryengritje në Kremlin?

Shkruar nga Pamfleti
Rrethi i brendshëm i Putinit po tkurret dhe kritikët po shtohen, a po

Shumica e këshilltarëve dhe ministrave të tjerë të presidentit nuk janë Putinistë. Shumë prej tyre po mendojnë se si të shpëtojnë lëkurën nëse situata përkeqësohet. Për të mos thënë se ata janë aq të frikësuar sa mund të shkojnë te një kryengritje.

Shkruan Mark Galeotti*

Janë shumë të paktë ata persona në rrethin e brendshëm të Kremlinit që mund të kenë përballë presidentin Vladimir Putin.

Diktatori rus është paranojak për shkak të Covid-19 dhe shumicën e takimeve e zhvillon me video LIVE. Kjo ka të mirën e vet sepse e bën më të lehtë përfundimin e bisedave kur atij nuk i pëlqejnë.

Muajin e kaluar guvernatorja e Bankës Qendrore, Elvira Nabiullina, u përpoq të jepte dorëheqjen në Zoom në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës. Putin refuzoi të pranonte dorëheqjen e saj. Ai tha se ajo duhet të rrijë në detyrë për të stabilizuar tregjet dhe më pas shkëputi bisedën.

Ai nuk do toleron asnjë mendim që bie ndesh me idetë e tij. Por në sallat e pushtetit në Moskës, ka një shqetësim në rritje. Është raportuar se zyrtarë të lartë të Kremlinit kanë frikë se pushtimi i Ukrainës ishte një gabim “katastrofik”. Në mënyrë të frikshme, ata paralajmërojnë se ai mund të përdorë armët taktike bërthamore.

Nacionalistët mbështesin besimin e Putinit se Ukraina duhet të detyrohet të kthehet në sferën e ndikimit të Rusisë, duke e shkëputur atë nga Perëndimi. Por ata janë të tmerruar se sa keq ka shkuar lufta.

Liberalët ishin gjithmonë skeptikë për përmbysjen e një qeverie të huaj dhe janë të dëshpëruar për dëmin që po i bëhet Rusisë.

Putini i ka larguar pothuajse të gjithë. Një nga të paktët që dëgjon ende është Sekretari i Këshillit të Sigurimit, Nikolai Patrushev. Shumica e këshilltarëve dhe ministrave të tjerë të presidentit nuk janë Putinistë. Shumë prej tyre po mendojnë se si të shpëtojnë lëkurën nëse situata përkeqësohet. Për të mos thënë se ata janë aq të frikësuar sa mund të shkojnë te një kryengritje. Por do të duhej një aleancë me figurat e rangut më të lartë në ushtri, qeveri dhe shërbimet sekrete.

Kjo është ajo që ndodhi 60 vjet më parë kur kryeministri Nikolai Kruschev u përmbys pas krizës së raketave kubane. Sipas Kushtetutës ruse, nëse një president nuk është në gjendje të vazhdojë detyrën, atëherë kryeministri do të drejtojë një qeveri të përkohshme. Kryeministri rus Mikhail Mishustin është i moderuar dhe dihet se e kundërshton luftën – pa e deklaruar kurrë drejtpërdrejt.

Por çfarë ndodh me rusët jashtë Kremlinit? Deri më tani, presioni perëndimor, përfshirë sanksionet e rënda ekonomike, nuk ka qenë i mjaftueshëm për të nxjerrë turmat e protestuesve në rrugë. Por nëse Putini nis sulmet bërthamore taktike në Ukrainë, ky mund të ishte katalizatori për nisjen e një puçi.

Deklarata për sulme bërthamore taktike janë eufemizëm. Shkatërrimi do të ishte i barabartë me një Hiroshima ose Nagasaki. Por kjo nuk duket se ka rëndësi për Putinin, i cili thuhet se ka sëmundjen e Parkinsonit dhe vuan nga kanceri. Ai nuk mund të presë me vite për fitoren në Ukrainë.

Ai është i dëshpëruar për një lloj triumfi dhe mund të vendosë të luajë gjithçka në kumar, duke hedhur zarin bërthamor. Por ai nuk mund të shtypë thjesht një buton të kuq. Armët janë çaktivizuar pjesërisht dhe do të duhet të hiqen nga magazinimi, të transportohen në raketa dhe të aktivizohen.

Do të kërkoheshin teste dhe kontrolle – dhe zyrtarët e tij, së bashku me inteligjencën perëndimore, do të informoheshin. Pragmatistët e Kremlinit e dinë se një sulm taktik bërthamor do të ishte një katastrofë edhe më e madhe se pushtimi fillestar.

NATO do të detyrohej të përgjigjej, ashtu si edhe Kina, për t’i dhënë fund regjimit të Putinit, pavarësisht nga kostoja. Ky grup në rritje i disidentëve në Moskë mund të jetë i përgatitur të veprojë së pari kundër liderit të tyre, si për mbijetesën e tyre ashtu edhe për mbijetesën e vetë Rusisë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Daily Mail”

*Profesor Nderi në Shkollën e Studimeve Sllave dhe të Evropës Lindore në Kolegjin Universitar në Londër

Bota #Kremlin Putin