Filiali i institucionit financiar për dhënien e mikro-kredive, “Kredo.al” është grabitur para pak minutash në Tiranë, në zonën e Brrylit.
Sipas njoftimit të Policisë, ka qenë një person i armatosur dhe i paidentifikuar ende, i cili ka grabitur një sasi parash në filialin e “Kredo.al” në zonën e Brrylit, dhe më pas është larguar me shpejtësi. Për të bërë të mundur kapjen e tij, janë ngritur pika të shumta kontrolli në hyrje dhe në dalje të kryqeytetit.
“Rreth orës 13:40, në rrugën “Bardhyl”, një shtetas ende i paidentifikuar dyshohet nën kërcënimin e armës, ka vjedhur një shumë parash në një filial të dhënies së kredive dhe është larguar me shpejtësi. Në të gjitha hyrje-daljet e Tiranës, janë ngritur pika kontrolli, si dhe janë shtuar sherbimet ku po behet krehja e zonës. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin e autorëve”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Fatmirësisht, nga grabitja nuk kanë mbetur persona të lënduar. Burimet bëjnë me dije se autori ka pritur në radhë si klientë, dhe kur në filial kanë mbetur vetëm punonjësit, ka nxjerr armën dhe i ka kërcënuar.