Bota31 Maj 2022, 17:06

Rreziku i krizës së urisë, krerët e BE: Po diskutojmë mbi rrugët alternative për të nxjerrë grurin nga Ukraina

Shkruar nga Pamfleti
Rreziku i krizës së urisë, krerët e BE: Po diskutojmë

Bashkimi Europian ka vendosur sot ndalimin e naftës ruse, duke hedhur një hap tjetër drejt izolimit të Moskës për shkak të sulmit në Ukrainë. Pas mbledhjes, krerët e BE dolën në një konferencë shtypi.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dha detaje nga takimi, në qendër të së cilit ka pasur disa tema. Duke folur për mbrojtjen, ajo u ndal te aplikimi i Finlandës dhe Suedisë për në NATO.

Tema e dytë është mbrojtja. Lufta ishte përsëri një kujtesë e fortë për vendet anëtare mbi nevojën për të forcuar kapacitetet tona mbrojtëse. Ne kemi parë zhvillime pozitive. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për aplikimin e Finlandës dhe Suedisë për t’u bashkuar me NATO-n, aleancën më të fortë ushtarake në botë, dhe ata do të përfitojnë shumë nga anëtarësimi i tyre.

Por edhe fakti që që nga fillimi i luftës, liderët dhe shtetet anëtare njoftuan 200 miliardë euro shpenzime shtesë ushtarake. Tani është e rëndësishme që ne të sigurohemi që nga ky investim shtesë, të marrim vlerën maksimale”, tha shefja e KE.

Në konferencë foli edhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. I pyetur në lidhje me mundësinë e eksportimit të grurit nga Ukraina nëpërmjet Bjellorusisë apo porteve në Detin e Zi, Michel tha se ky do të jetë prioriteti i tyre kryesor.

Ky do të jetë prioriteti i parë, sepse janë 22 milionë tonë drithë që janë bllokuar në Ukrainë, veçanërisht në Odesa. Para disa javësh shkova në këtë qytet, për të parë me sytë e mi se si është situata në terren. Vende si Egjipti dhe vende të tjera në Afrikë, janë viktima të kësaj situate. Do të thotë se ne mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për të gjetur një marrëveshje për hapjen e një korridori detar në Detin e Zi”, është shprehur ai.

Michel ka bërë me dije se Bashkimi Europian ka diskutuar në lidhje me një rrugë alternative eksporti nëpërmjet Detit Baltik në veri të kontinentit. “Ne diskutuam për mundësitë e ndryshme të nevojshme për të zhvilluar rrugë alternative, por e dimë se një gjë e tillë është më e vështirë për tu realizuar, si dhe ka më shumë kosto. Është më e vështirë për arsye të dukshme logjistike”, shtoi ai.

Bota #Grure BE Rusi Ursula