
Rreziku i një sulmi rus, BE: Të gatshëm të mbrojmë Finlandën dhe Suedinë me gjithçka kemi!
Bashkimi Evropian është i gatshëm të mbrojë Finlandën dhe Suedinë në rast të një sulmi nga Rusia.
Gjatë një takimi të Ministrave të Mbrojtjes të Evropës në Bruksel, shefi i politikës së jashtme të bllokut përshëndeti vendimin e dy vendeve nordike për të aplikuar për anëtarësim në NATO.
Sipas Borrell, neni i BE-së për mbrojtjen e vendeve të BE-së do të aktivizohej në rast të një sulmi ndaj Finlandës dhe Suedisë.
“Nëse një shtet sulmohet në territorin e tij, nëse ka një sulm të armatosur kundër një shteti anëtar të BE-së, ky shtet mund t’u kërkojë të tjerëve ta ndihmojnë. Dhe të tjerët janë të detyruar ta bëjnë këtë me të gjitha mjetet që kanë”, tha Borrell.
Mbretëria e Bashkuar gjithashtu ofroi garanci sigurie për Finlandën dhe Suedinë për vendimin për të aplikuar në NATO, javën e kaluar.
BE thotë gjithashtu se do të sigurojë 500 milionë euro mbështetje financiare për ushtrinë e Ukrainës, duke e çuar vlerën totale të fondeve të përgjithshme ushtarake për Ukrainën në 2 miliardë euro.
Paratë sigurohen nëpërmjet Fondit Evropian të Paqes, dhe me të, Ukraina mund të blejë armë dhe pajisje ushtarake për luftën kundër pushtimit rus.