Në 2021 periudhë në të cilën kulmoi pandemia nga covid-19 në spitalet publike numri i pacientëve të shtruar u rrit 17% më shumë se 2020. Nga 220,325 pacientë të shtruar në spitale në 2020, vitin e kaluar u shtruan 257,829 pacientë sipas treguesve të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në 2021 ka pasur shitim të rasteve të trajtuara me sëmundje kardiologjie 25% më shumë se 2020. Nga 6,197 pacientë të trajtuar në 2020 7,756 pacientë të trajtuar nga paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në 2021 numri i tyre arriti në 7,756 pacientë. Shtim ka pasur edhe për pacientët e trajtuar me radioterapi. Në 2021 numri i tyre u rrit 20% më shumë në raport me 2020.
Mjekët parashikojnë se do të këtë edhe këtë vit shtim të rritjeve të rasteve të sëmundjeve kardiake, sëmundjeve tumorale, sëmundjeve metabolike e të tjera edhe për 2022 pas epidemisë së Covid-19. Mjeku i urgjencës Ilir Allkja tha për “Monitor” se shtimi i patologjive do të ndikohet nga dëmet e covid-19, mungesës së mjekëve specialistë në rrethe dhe faktorë të jashtëm si ndotja ambientale dhe kequshqyerja.
“Së pari dëmet nga infeksioni i koronavirusit janë të njohura e të panjohura. Në shumicën e individëve që kalojnë infeksionin viral, shfaqen çrregullime në koagulimin e gjakut, endotelin e enëve të qarkullimit të gjakut, metabolizmin e yndyrave, sheqernave etj, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në shëndetin e zemrës dhe të enëve të gjakut. Kjo sjell pasojë rritjen në numër të pacientëve kardiakë e jo vetëm.
Nëse shtojmë edhe kufizimet dhe pamundësitë për ekzaminime laboratorike për shkak të dhënies me koncesion të laboratorëve, ndjekja adekuate e shëndetit të zemrës kthehet në mision tejet të vështirë.
Arsye të tjera mund të numërojmë shumë, të tilla si ndotja ambientale, ushqyerja e keqe, zbatimi i alternativës më të lirë në barnat që jepen nga shteti me rimbursim, (barna që janë tej të dyshimta) stresi, pasiguria etj”, veçon ai.
Në 2021 është shënuar rënie 3% e pacientëve të trajtuar nga spitalet psikiatrike dhe 20% rënie të rasteve të trajtuara nga urgjencat.
Pandemia po vret akoma, direkt dhe indirekt
INSTAT bëri të ditur se në janar-mars 2022, në vend u shënuan gjithsej 7,938 vdekje. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur pandemia kulmoi dhe u regjistrua niveli më i lartë rekord i vdekjeve në historinë e Shqipërisë, numri është 22.3% më i ulët.
Por, në raport me mesataren 2016-2019 të janar-mars, kur vendi ishte në periudhë normale, fatalitetet janë rritur me 25.3%, në një tregues që pandemia vijon të vrasë, por edhe të pasojave që ka lënë te popullata që e ka kaluar Covid-19, duke përshpejtuar rastet fatale.
Mjeku pneumolog Petrit Malaj thotë se në tremujorin e parë 2022 ka pasur valë të Covid në vend, që është një fakt që ka shkaktuar rritje të vdekjeve shtesë. Ndërkohë ai pohon se Covid-19 ka shtuar barrën e sëmundjeve në vend, duke përshpejtuar humbjet e jetëve te personat që e kanë kaluar më herët atë.
Në total, që nga prilli i vitit 2020, kur filloi pandemia, në vend janë shënuar 16.2 mijë vdekje shtesë, në raport me mesataren e 2016-2019, kur ishte një periudhë normale, sipas të dhënave të INSTAT, të përpunuara nga Monitor.