Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço ka deklaruar se qeveria ka arkëtuar 230 milion euro më shumë në tremujorin e parët të këtij viti nga TVSH-ja, si pasojë e rritjes së çmimeve.
Muço u shpreh se një familjeje shqiptare, i duhen 6200 lekë të reja shtesë në muaj, për të mbajtur të njëjtin standard të vitit të kaluar, për produktet e shportës.
“Rreth 230 milion euro më tepër ka arkëtuar qeveria si pasojë e rritjes së çmimeve. Nga një anë ne kemi qytetarë që gjenden në vështirësi ekonomike sepse kemi rritje të çmimeve. Një publikim i INSTAT-it, thotë se çdo familjeje shqiptare i duhen rreth 6200 lekë të reja në muaj shtesë, për të mbajtur të njëjtin standard jetese të vitit të kaluar”, tha Muço në emisionin “Mirëmëngjes”.
Sipas tij, rritja e të ardhurave nga TVSH-ja rezultoi mbi parashikimin e qeverisë.
“Janë rritur çmimet, por TVSH-ja është tatim për blerën e shtuar mbi çmimin fundor. Kjo ka çuar në rritjen e arkëtimeve të TVSH-së. Kjo vlerë është mbi parashikimet e qeverisë. Parashikimet janë gjithmonë optimiste, në vitet e kaluara qeveritë vuanin që të realizonin planin. Në këtë rast e kemi realizuar planin dhe kemi 230 milion euro plus”, deklaroi eksperti.
Muço shtoi se qeveria duhet të bëjë rishpërndarjen e këtyre ardhurave në forme ndihme për njerëzit në nevojë, pensionistët apo bizneset.