
Rruga e Kombit po na shkon sa bishti koka, ARRSH-ja kërkon përsëri para nga buxheti i shtetit
Rruga e Kombit, u kushtoi shqiptarëve 1.3 miliardë dollarë dhe vijon të marrë parà nga buxheti i shtetit. Gabimet në projektim dhe zbatim, krahas dëmit ekonomik kanë shkaktuar dhjetëra aksidente me pasojë vdekjen.
Nga Kukësi në Morinë rruga parashikonte ndërtimin e 7 veprave, urave dhe viadukteve. Ndërtimi ka filluar në vitin 2006, megjithëse jemi në qershor të 2018-s, punimet ende nuk kanë përfunduar.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, javët e fundit, ka hapur një tender për rregullimin e këtyre pjesëve. ARRSH-ja ka bërë një studim dhe thotë që rruga është më e ngushtë sesa urat dhe viaduktet.
Nga vëzhgimet në këtë segment, ku rezultoi se ka mospërputhje niveli, pasi rruga është më poshtë dhe urat më të larta. Madje, një pjesë e rrugës nga urat te segmenti ekzistues nuk është bërë. Ndërkohë, mospërfundimi i rrugës ka sjellë një seri aksidentesh me pasojë vdekjen.
Në një dokument të tenderit të ri të hapur nga ARRSH-ja, ka akorduar rreth 2 miliardë lekë për të lidhur pjesën e viadukteve, pra pjesën e pabërë.
Pas konstatimit të problematikës, top channel, iu drejtua me një kërkesë zyrtare Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke kërkuar: fondin total për rregullimin e 7 viadukteve; çfarë fondesh po përdoren, buxhetore apo private; si dhe koston totale për rrugën Milot-Kalimash-Kukës-Morinë.
ARRSH-ja ktheu përgjigje, duke thënë se “kanë përfunduar punimet për dublimin e 5 viadukteve dhe janë në proces 2 të tjera. Në segmentin Kukës-Morinë janë konstatuar mospërputhje të kuotave të viadukteve që po dublohen, nga kuota e rrugës e ndërtuar ndër vite”.
Gjerësia e viadukteve është më e madhe sesa e rrugës së zbatuar. Ka keqësim të gjendjes aktuale të shtresave, apo mbushjes së rrugës në hyrje-dalje të viadukteve.
“Ndërtimi i viadukteve që po dublohen kryhet nga fonde të buxhetit, e vlera ndërtimore e tyre është 2 miliardë lekë. Kostoja totale me fondet e buxhetit të shtetit për rrugën Rrëshen-Kalimash, Kukës-Morinë, është rreth 1.1 miliardë dollarë. Segmenti Milot-Rrëshen është ndërtuar me fondet e Bankës Botërore me vlerë 35.5 milionë dollarë. Segmenti Kalimash-Rexhepaj është ndërtuar me Fondet e Bankës Islamike për Zhvillim, me vlerë 53 milionë dollarë”, thotë ARRSH-ja.
Sipas ARRSH-së kostoja total kostoja e rrugës shkon në 1.3 miliardë dollarë!
Top Channel pyeti një inxhinier rrugësh. Feti Gjeci tha se ka bërë vite më parë një studim për këtë rrugë, që ka filluar që para viteve ’90. Në lidhje me projektin që është projektuar apo zbatuar, ai thotë se është sabotim. Rruga nuk ka asnjë parametër, ka shumë kthesa dhe pjerrësi të madhe.