Anti-Mafia 7 Gusht 2022, 20:29

Rruga që ka mbetur rrugëve/ Si aksi Qukës-Qafë Plloçë po gërryen buxhetin e shtetit dhe nuk po mbaron prej 13 vitesh

Shkruar nga Pamfleti

Ministrja Balluku duke inspektuar punimet në aksin Qukës-Qafë Plloçë

Projekti fillestar kushtonte 134.6 milionë dollarë ndërkohë që pas ndryshimeve të njëpasnjëshme të projektit, vlera u shtua me 63% e vlerës fillestare, ku vlera shkoi në 218.8 milion dollarë…

Aferat me rrugët vijojnë të gërryejnë buxhetin e shtetit. Asnjë projekt madhor nuk ka përfunduar në kohë dhe me të njëjtin buxhet të planifikuar, por gjithmonë janë bërë shtesa dhe janë zgjatur afatet.

E njëjta gjë po ndodh me rrugën Qukës-Qafë Plloçë, e cila është për rekord Guinness. Kemi të bëjmë me vetëm 43 kilometra rrugë dhe prej 13 vitesh ky aks vijon të jetë në ndërtim dhe vetëm merr para çdo vit nga buxheti.

Aksi sot është inspektuar nga prefekti i Korçës, Nertil Jole, duke e cilësuar si një vepër madhore që do shkurtojë distancën Korçë-Tiranë.

Me përfundimin e plotë të ndërtimit të segmentit rrugor Qukës-Qafë Plloçë, me gjatësi 43.4 km, do të shkurtohet me rreth një orë, koha e udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë-Korçë. Me nënprefektin e Pogradecit Luan Maxhari vizituam kantierin dhe përshkuam segmentin nga kilometri i 9 deri tek kilometri 15, ku aktualisht po punohet me shtresa e mure. 10 km të këtij segmenti rrugor kalojnë buzë lumit Shkumbin, mes për mes një zone të bukur natyrore të paeksploruar të qarkut tonë, siç është ajo e Mokrës”, shkruan ai në rrjetet sociale.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Por ky është një ndër akset më të shtrenjtë dhe që asnjëherë nuk i dihet saktë se kur do të mbarojë. Pak kohë më parë e promovoi edhe kryeministri Rama, por askush nuk denjon të thotë se kur do pritet shiriti.

Për të pasur një ide më të qartë të këtij aksi: Puna për të filloi në vitin 2009 nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha. Në atë kohë u asfaltuan vetëm 3 kilometra rrugë për efekt fushate dhe më pas rruga mbeti rrugëve.

Projekti fillestar kushtonte 134.6 milionë dollarë ndërkohë që pas ndryshimeve të njëpasnjëshme të projektit, vlera u shtua me 63% e vlerës fillestare, ku vlera shkoi në 218.8 milion dollarë.

Qeveria aktuale planifikonte që rruga të mbyllej në vitin 2019, por afati u shty për në 2023 dhe po ashtu kjo u shoqërua me ndryshime në buxhet. Në shtator të vitit 2020 ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se për përfundimin e saj nevojiten edhe 105.8 mln USD, prej të cilëve 56.8 mln USD për lotin I dhe II dhe 49 mln USD për lotin III, ndërkohë që nga aprovimi i fondit do të duheshin edhe 22 muaj për të dorëzuar veprën.

Por afatet u shtynë dhe u kërkuan sërish para. Në fund të vitit 2021, qeveria njoftoi se e duhen së paku edhe 56.7 milionë euro shtesë për financimin e punimeve deri në përfundimin e plotë.

Kjo bëri që në fillim të këtij viti, qeveria në një prej mbledhjeve të saj vendosi të marrë borxh për financimin e punimeve. Në janar qeveria miratoi në parim marrëveshjen e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës, “hua shtesë”, me një vlerë prej 183 750 000 rial saudit apo rreth 48 mln euro.

Ndërkohë që, kredia e parë për financimin e kësaj vepre është marrë po nga Fondi Saudit për Zhvillim, e firmosur në shkurt të vitit 2013, nga ish-ministri i Financave, Ridvan Bode.

Gjatësia e segmentit Qukës–Qafë Plloçë është 43,4 km, ndërsa ndahet në 3 lote. Deri 1 vit e gjysmë më parë, në lotin e parë ishin kryer 86.52% e punimeve, në lotin e dytë punimet kishin avancuar në masën 84.36%, ndërsa në lotin e tretë, në masën 51%. /Pamfleti

Anti-Mafia #Qafe-plloce Balluku qukes