Ekonomi10 Gusht 2022, 16:51

Rruga Qukës-Qafë Plloçë vijon të gërryejë shtetin, qeveria merr 49 mln dollarë borxh nga Fondi Saudit

Shkruar nga Pamfleti
Rruga Qukës-Qafë Plloçë vijon të gërryejë

Rruga Qukës- Qafë Plloçë vijon të gërryejë shtetin. Kjo rrugë ka 13 vite që ka nisur dhe nuk po mbaron, ndërkohë që fondet lëvrohen nga viti në vit. “Pamfleti” e denoncoi pak ditë më parë se si po zvarriten punimet, ndërsa sot ministrja e Financave ka firmosur një marrëveshje duke marrë borxh për të mbyllur punimet.

Ministrja Delina Ibrahimaj ka nënshkruar marrëveshjen me Fondin Saudit për marrjen e një kredie me vlerë 49 mln dollarë.

Kam pasur nderin të nënshkruaj kredinë për rrugën Tiranë-Elbasan me një vlerë totale 49 mln dollarë si një kredi shtesë e dhënë nga fondi saudit për zhvillim. Ne e kemi financuar këtë projekt më parë me vlerë 25 mln dollarësh. Kjo marrëveshje synon përfundimin e projektit. Rruga është me gjatësi 43 km dhe përfitojnë prej saj rreth 600 mijë banorë duke përmirësuar cilësinë e transportit apo sigurinë rrugore”, tha ministrja.

Puna për këtë aks filloi në vitin 2009 nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha. Në atë kohë u asfaltuan vetëm 3 kilometra rrugë për efekt fushate dhe më pas rruga mbeti rrugëve.

Projekti fillestar kushtonte 134.6 milionë dollarë ndërkohë që pas ndryshimeve të njëpasnjëshme të projektit, vlera u shtua me 63% e vlerës fillestare, ku vlera shkoi në 218.8 milion dollarë.

Qeveria aktuale planifikonte që rruga të mbyllej në vitin 2019, por afati u shty për në 2023 dhe po ashtu kjo u shoqërua me ndryshime në buxhet. Në shtator të vitit 2020 ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri me dije se për përfundimin e saj nevojiten edhe 105.8 mln USD, prej të cilëve 56.8 mln USD për lotin I dhe II dhe 49 mln USD për lotin III, ndërkohë që nga aprovimi i fondit do të duheshin edhe 22 muaj për të dorëzuar veprën.

Por afatet u shtynë dhe u kërkuan sërish para. Në fund të vitit 2021, qeveria njoftoi se e duhen së paku edhe 56.7 milionë euro shtesë për financimin e punimeve deri në përfundimin e plotë.

Kjo bëri që në fillim të këtij viti, qeveria në një prej mbledhjeve të saj vendosi të marrë borxh për financimin e punimeve. Në janar qeveria miratoi në parim marrëveshjen e huasë me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan-Qukës-Qafa e Plloçës, “hua shtesë”, me një vlerë prej 183 750 000 rial saudit apo rreth 49 mln euro. Sot kjo marrëveshje u firmos.

Gjatësia e segmentit Qukës–Qafë Plloçë është 43,4 km, ndërsa ndahet në 3 lote. Deri 1 vit e gjysmë më parë, në lotin e parë ishin kryer 86.52% e punimeve, në lotin e dytë punimet kishin avancuar në masën 84.36%, ndërsa në lotin e tretë, në masën 51%.

Ekonomi fondi saudit ibrahimaj