Aktualitet 5 Tetor 2022, 20:12

RTSH, koncert turpi për 60-vjetorin e Orkestrës Simfonike

Shkruar nga Pamfleti
RTSH, koncert turpi për 60-vjetorin e Orkestrës Simfonike

Repertori i zgjedhur ishte një ofendim tjetër për historinë e Orkestrës Simfonike të RTSH, që ka lënë gjurmë në evente magjike, festivale e deri te filmat shqiptarë… 

Datëlindja e 60-të e Orkestrës Simfonike të RTSH, është kujtuar në mënyrën më të keqe të mundshme.

E gjitha ka ndodhur për shkak te injorancës dhe padijes së drejtuesve aktuale të RTSH, duke e shndërruar koncertin e mbajtur me këtë rast, në një event mediokër dhe tërësisht të zakonshëm.

Skenari (nëse ka pasur) ishte sajuar në vrap e sipër e shkel e shko. Skenografia ishte inekzistente. Zbukurime të padenja për një jubile u bënë palë me mungesën e një historiku të mirëfilltë. Nuk u thirrën protagonistët e parë, për fat ende gjallë, që kanë luajtur që në koncertin fillestar te saj. Prania e tyre fizike do të ishte një vlerë e shtuar. Ndërkaq kujtimi i atyre që e bekuan nga parajsa jubileun, nuk ndodhi. Sepse për drejtuesit aktuale nuk ekziston e kaluara, historia.

Nga ana tjetër, repertori i zgjedhur ishte një ofendim tjetër për historinë e Orkestrës Simfonike të RTSH, që ka lënë gjurmë në evente magjike, festivale e deri te filmat shqiptarë. Repertori që u luajt në TOB, nuk kishte lidhje me eventin dhe më shumë e cenoi atë. Veprat e përzgjedhura, nga njerëz që nuk kanë lidhje me Orkestrën, e shndërruan eventin në një koncert rutinë.

Aq më tepër që ishin ftuar të interpretonin solistë pa lidhje reale me historinë e Orkestrës Simfonike. Nuk u kursyen shpenzimet për interprete të ardhur nga jashtë e me superpagesa, ndërkohë që artistët tanë ka kohë që kanë nevojë për shtim pagash.

Artikulimi artistik i simbiozës krijues-orkestër, u sfidua nga mosnjohja dhe mungesa e shfletimit të historikut 60-vjeçar të një aseti të rrallë. Aq më pak akoma, e mungesës totale të një konsultimi të njerëzishëm me memorien kolektive. Sa turp! /Pamfleti

Kryesore koncert turpi Orkestra Simfonike RTSH