
Rusia ka aktivizuar “mercenarin” e saj në qeverinë serbe për të bllokuar planin e paqes me Kosovën. Presidenti Vuçiç ka pranuar planin franko-gjerman, mirëpo duket se tani ka nisur të vendosë stërkëmbësha Ivica Daçiç, aleati i tij në qeveri, njëherësh kreu i Partisë Socialiste.
Të dy kanë ndasi të shumta mbi planin në fjalë dhe sipas medias serbe “Danas”, në lojë kanë hyrë rusët. Daçiç njihet si politikani më pro rus në Serbi dhe “Dans” shkruan se rusët e kanë udhëzuar të refuzojë propozimin e BE.
“Sherri i ri mes SNS-së dhe SPS-së ndoshta është shkaktuar nga kushti i Rusisë ndaj Partisë Socialiste të Serbisë që të vazhdojnë të mbajnë distancë nga propozimi evropian për Kosovën”, shprehen analistët serbë për “Danas”. Por sipas tyre, pavarësisht se ai po mundohet të luajë lojën ruse, në fund do të dorëzohet sepse nuk ka zgjidhje. Megjithatë ata thonë se ai po shantazhohet nga Moska.
“Rusët sigurisht kanë dosje komprometuese për Daçiçin dhe është pothuajse e sigurt se bëhet fjalë për para”, besojnë bashkëbiseduesit e “Danas”.
Vete presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha tha se ka pasur takime me udhëheqësin e socialistëve serbë, Ivica Daçiç dhe konfirmoi se marrëdhëniet mes dy partive janë në krizë. Partia Përparimtare Serbe (SNS) e Vuçiçit dhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Daçiçit janë në koalicion qeveritar.
Ai shtoi se vendimet nuk do të merren brenda natës dhe se do të takohet me Daçiçin më 8 shkurt. “Dhe a kam besim të plotë (te SPS-ja)? Personalisht nuk kam, por nuk do ta bazoja këtë në marrëdhëniet personale. Vendi është më i rëndësishëm se marrëdhëniet personale. Por, tani e dimë se në kohë të vështira mund të mbështetemi vetëm në veten tonë”, tha ai.
Vuçiç ka përmendur gjithashtu se ekziston mundësia e krijimit të një shumice tjetër në Kuvend, pa specifikuar se kush do ta krijojë atë. Kuvendi i Serbisë ka 250 deputetë. Prej tyre, 106 janë nga radhët e Partisë Përparimtare, ndërsa 23 nga Socialistët.