Editorial 8 Dhjetor 2022, 08:29

Rusët i kërkojnë borxhin Berishës, po thotë Ngjela?

Shkruar nga Pamfleti
Rusët i kërkojnë borxhin Berishës, po thotë Ngjela?

Rusët i kërkojnë borxhin Berishës, po thotë Ngjela?

Cili do të ishte ndëshkimi i Moskës kundër Berishës klient?

Shkruan Frrok Çupi

Spartak Ngjela, avokat dhe statist, u angazhua rreth aktit ku u rrah Sali Berisha, ish president dhe ish kryeministër. E lexova në ‘Pamfleti’.

Ngjela shtron pyetjen ‘kush e rrahu Berishën?’

-Pyetja ishte: shqiptarët apo të huajt?, kërkon shpjegim avokati.

‘Shqiptarët mund ta kenë bërë për fyerje, nuk ka ndonjë rrezik të madh, kushdo që e ka bërë. Por nëse e kanë bërë të huajt, ka pikëpyetje të madhe”, sipas Ngjelës.

Pa pasur asnjë tejkëqyrje konkrete se Berishën do ta rrihnin ditën e protestës së tij kundër Samitit të BE në Tiranë, kisha shkruar për një mundësi që rusët mund ta ndëshkonin Berishën. Por do ta ndëshkonin si në rastin kur do të fitonte në aktin e tij kundër Perëndimit në Tiranë; aq më keq do ta ndëshkonin nëse Berisha nuk do ta realizonte porosinë e Rusisë kundër Samitit të BE. Berisha dhe PD e tij kanë marrë një financim prej gjysmë milioni dollarë nga Moska; për asgjë tjetër veçse për të realizuar qëllimet e saj që ta mbajnë Shqipërinë larg influencave perëndimore.

Cili do të ishte ndëshkimi i Moskës kundër Berishës klient?

Ndëshkimet moskovite kundër agjentëve të tyre në sferën perëndimore të Botës, përmbajnë një hierarki të tërë, që nga rrahja e deri te eliminimi.

Kemi pamje të qarta, të vërtetuara dhe të shpallura botërisht se si i eliminon Moska klientët e saj pasi ‘digjen’ dhe pasi paraqesin rrezik se mund të kthehen kundër Moskës. Por me Berishën nuk ka ardhur akoma pika kur bëhet i rrezikshëm për Moskën, ndryshe dënimi do të ishte më i rëndë se rrahja.

Ka ndodhur këtu, në vendin tonë, që katër ‘turistë’ nga Rusia u helmuan në ujërat e një pishine në hotelin ‘Gloria’ të Kavajës. Nataliia Burenkova, 58 vjeçe dhe Sergei Burenkova, 60 vjeç, si dhe Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe dhe partneri i saj Nikita Belousov, 37 vjeç, u helmuan në verën e vitit 2021.

Eksperienca botërore tregon edhe më shumë. Në pranverën e vitit 2018, ish-spiuni rus Skripal u helmua në banesën e tij në Londër, bashkë me të bijën. Ngjarja mori përmasa botërore; gjurmë të agjentit u gjetën gjithashtu edhe në vende të tjera që kishin kërkuar hetuesit kohët e fundit, por në përqendrime më të ulëta se sa ato të gjetura në banesën e tij.

Metoda ruse e hakmarrjes për agjentët e investuar prej saj nëpër botë, është më së shumti eliminimi.

Atëherë, sipas skemës se mund të jenë të huajt ata që e rrahën Berishën, del që Moska përdori metodën më të ulët, atë të rrahjes. Nëse vetë Berisha nuk e ka sajuar rrahjen me qëllim që t’ i hedhë hi syve Moskës.

Por nëse Moska është vënë në gjurmë të agjentit Berisha, siç parashikon edhe Ngjela, atëherë Berisha i ka keq punët. Moska nuk mjaftohet më me tërheqjen e fondeve që ka financuar për PD e Berishës.

Ky është rreziku, i cili mund të përfshijë një perimetër më të gjerë se vetë Berisha, nëse ky është vënë në ndjekje për t’u ndëshkuar për shkak se nuk kreu si duhet detyrën e dhënë nga Moska/ Pamfleti 

Ky artikull është ekskluziv i Pamfletit, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Pamfletin dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Editorial Frrok Cupi Sali Berisha

Editorial