Bota28 Prill 2022, 22:55

Rusia bombardon Kievin gjatë vizitës së shefit të OKB, 5 predha bien në perëndim të qytetit; Zelensky reagon ashpër

Shkruar nga Pamfleti
Rusia bombardon Kievin gjatë vizitës së shefit të OKB, 5

Rusia ka sulmuar me predha Kievin. Autoritetet raportojnë se 5 predha ranë në zonën perëndimore, ndërkohë që sulmi erdhi gjatë vizitës së  Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në kryeqytetin ukrainas. Në momentin që ndodhën shpërthimet ai ishte duke u takuar me Presidentin Zelensky. Sipas mediave, raketat kanë rënë pranë ambasadës britanike.

Ministri i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, e ka quajtur bombardimin si sulm mbi “sigurinë e Sekretarit të Përgjithshëm dhe sigurisë botërore”.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar mbi sulmin. Ai e ka quajtur një sulm që synonte poshtërimin e OKB-së. “Një sulm që synon poshtërimin e OKB-së dhe gjithçka që ajo përfaqëson. Prandaj, ai kërkon një përgjigje të fortë. Sulmet e Rusisë ndaj Mariupolit nuk u ndalën as kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ishte në Moskë për bisedime me Putinin. Dhe sot, menjëherë pas përfundimit të bisedimeve tona në Kiev, raketat ruse fluturuan në qytet. Kjo flet shumë për qëndrimin e vërtetë të Rusisë ndaj institucioneve globale”, shtoi Zelensky.

Sipas Zelenskyt, ky sulm flet shumë për qëndrimin e vërtetë të Rusisë ndaj institucioneve globale dhe përpjekjet e udhëheqjes ruse “për të poshtëruar Kombet e Bashkuara dhe gjithçka tjetër për të cilën organizata përfaqëson. Kështu që ne kemi nevojë për një përgjigje të përshtatshme dhe të fuqishme”.

Një reagim erdhi dhe nga kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko. “U goditën katet e poshtme të një ndërtese banimi në Kiev në lagjen Shevchenkivskyi. Në vend ndodhen ekipe shpëtimi dhe mjekë. Gjithashtu po kontrollohen edhe shtëpitë fqinje dhe po nxirren njerëzit. Deri më tani janë tre të lënduar të cilët janë shtruar në spital”, tha ai.

Sulmin e dënoi edhe ministri i Jashtëm Ukrainas, Dmytro Kuleba. “Rusia goditi Kievin me raketa lundrimi pikërisht kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres dhe kryeministri bullgar Kiril Petkov po vizitojnë kryeqytetin tonë”, tha ai në Twitter.

Bota bombardime Rusi