Aktualitet22 Qershor 2022, 09:31

Rusia i ka shpallur luftë ekonomike Bashkimit Evropian

Shkruar nga Pamfleti
Rusia i ka shpallur luftë ekonomike Bashkimit Evropian

Rusia i ka shpallur luftë ekonomike Bashkimit Evropian

Rënia e pritshme, e tretë, e Rusisë, do të ishte krejtësisht e logjikshme të hapte perspektivë për faktorizimin e dy republikave tona, meqë kësaj radhe, me kohë, jemi pozicionuar drejt — krah Perëndimit. 

Shkruan Dr Sadri Ramabaja

Presidenti rus Vladimir Putin po vazhdon lojën e tij duke ashpërsuar luftën ekonomike me Bashkimin Evropian. Vendimi i tij për ndërprerjen e furnizimit me gaz për disa prej klientëve më të mëdhenj të Rusisë, sipas një analize të edicionit evropian të medias amerikane Politico, ka të bëjë pikërisht me thellimin e këtij kursi antiperëndimor.

Ky hap i ri i Putinit është presion i hapur dhe i parallogaritur mirë kundër qeverive të një varg shtetesh të Europës Perëndimore. Ai me këtë akt ka paralajmëron Perëndimin se do të përballen me një “dimër të ftohtë”.

Për rrezikun që paraqet varësia nga eksporti për industrinë gjermane tashmë kanë paralajmëruar duam apo s’duam, BE-ja është fati i Gjermanisë [1], shkruan Henrik Müller.

Lufta për destabilizimin e Europës, duke e shndërruar atë në një model të dobët biznesi, e bën Europën, pra edhe Europën Juglindore, të pa sigurt për të ardhmen e saj.

Putini llogarit se lufta që ai i ka shpallur BE-së përmes ndalimit të gazit, mund ta çojë BE-në në recesion. Analisti Simone Tagliapietra e quan politikën ruse “shantazh energjie”. Tani vetëm 40 për qind e sasisë normale të gazit rrjedh përgjatë tubacionit të nëndetëseve në relacionin Rusi-Gjermani, që njihet me emrin Nord Stream, duke ndikuar në zvogëlimin e dërgesave për Francë, Itali, Austri si dhe Gjermani.

Më herët, gjigandi i eksportit shtetëror rus Gazprom ishte ndaluar të gjitha dërgesat për në Poloni, Bullgari, Holandë, Finlandë dhe Danimarkë pasi kompanitë e energjisë në ato vende refuzuan të paguajnë për sasinë e faturuar në rubla. Si përgjigje, disa vende planifikojnë të hapin termocentrale me qymyr. Të tjerët po kërkojnë furnizues të rinj, veçanërisht nga Afrika. Vendet e treta, nga ana tjetër, po përpiqen të rrisin kapacitetin e tyre për të importuar gaz të lëngshëm të naftës (LNG) më të shtrenjtë.

“Duhet pranuar se Putini po redukton gradualisht furnizimet me gaz në Evropë,” tha Ministri gjerman i Ekonomisë dhe Klimës Robert Habeck në një intervistë televizive të dielën vonë, duke shtuar se situata ishte e tensionuar dhe serioze”. Austria planifikon të hapë një termocentral të mbyllur për të djegur përsëri qymyrin. Polonia synon të subvencionojë qymyrin që përdoret për ngrohjen e shtëpive. Holanda vendosi të hënën të braktisë planet e mëparshme për të kufizuar prodhimin nga katër termocentralet e saj me qymyr. “Nëse këto nuk do të ishin kohë të veçanta, nuk do ta kishim bërë kurrë”, tha ministri polak i klimës Rob Jetten. Qeveria italiane po planifikon një takim krize ndërkohë, me kryeministrin Mario Draghi që ka urdhëruar ngritjen e dy njësive për gazifikim të gazit natyror të lëngshëm dhe po planifikon të hyjë në bisedime Katarin, Angolën dhe Algjerinë për të nënshkruar marrëveshjet e furnizimit me gaz në një përpjekje të dëshpëruar për të siguruar furnizimet. “Ne e marrim shumë seriozisht situatën në të cilën ndodhemi. Por ne jemi gati”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë për shtyp të hënën. “Jemi në kohë të vështira dhe kohët nuk po bëhen më të lehta”, shtoi ajo.

Në këtë gjendje alarmi lojërat dhe ndërskamcat e politikës ndër ne marrin ngjyresa të groteskut dhe turpit politik. Qeveritë tona, si në Tiranë edhe në Prishtinë, duhet të koordinohen plotësisht që ta kalojmë krizën e paralajmëruar energjetike për dimrin që po vjen, përmes sinergjisë edhe në lëmin e energjetikës. Qeveria në Prishtinë duhet të rishikoj politikat në fushën e energjisë dhe shfrytëzimit të thëngjillit që ka Kosova, duke ju rikthyer shfrytëzimit të tij në periudhën pasuese, përderisa të kalohet kriza energjetike. Projektin europian në raport me energjinë e gjelbër dhe planet për të hequr qafe qymyrin deri në vitin 2030, duhet futur në sirtarë. Ndërkohë derisa Parlamenti gjerman po shqyrton 10 masa të reja për efiçencën e energjisë dhe burimet e rinovueshme të energjisë, në takimin pasues të Parlamenteve tona tashmë të paralajmëruar, një prej pikave qendrore duhet të jetë pikërisht çështja e krizës energjetike në dy republikat tona.

Nëse për Gjermaninë kthimi tek qymyri konsiderohet si variant më i mirë se ringjallja e energjisë bërthamore (kështu pohoi ministri Hebeck), dy parlamentet tona duhet të imponojnë agjendën në lëmin e energjetikës, duke hequr dorë nga centrali bërthamor i ideuar të ngritët në afër qytetit të Shkodrës, duke orientuar investime të përbashkëta në Hidrocentralin e Skavicës, po edhe në termocentralet në Prishitnë.

BE në prag të recesionit të ri

Udhëheqësit politikë të ekonomive evropiane po u bëjnë thirrje popujve të tyre të ruajnë energjinë dhe të reduktojnë përdorimin e gazit, ndërsa qeveritë po punojnë për të rritur nivelet e ruajtjes së energjisë në të gjitha planet e mundshme. Si mjet i fundit, ata po shqyrtojnë racionalizimin me forcë të përdorimit të gazit. Një mbyllje e plotë e furnizimeve me gaz me gjasa të mëdha, mund të thuhet se do ta sillte BE-në në recesion.

Ditë më parë, jo rastësisht, Banka Qendrore Evropiane ka paralajmëruar se vitin e ardhshëm, eurozona do të tkurret me 1.7%, nëse Rusia mbyll plotësisht valvulat e saj.

“Ndërprerjet e furnizimit me energji dhe mundësia e vogël për zëvendësimin e menjëhershëm të furnizimit me gaz të Rusisë ka të ngjarë të kërkojnë racionalizim dhe rialokim të burimeve, duke rezultuar në uljen e prodhimit në eurozonë, veçanërisht në sektorët me intensitet energjie”, ka nënvizuar banka në fjalë në një deklaratë për media. Por BQE pohon gjithashtu: “Për sa i përket ekonomisë ruse, një skenar i tillë ndoshta do të shkaktonte një recesion serioz me një tkurrje të prodhimit të ngjashëm movjetik, do të shoqërohet me një recesion të madhe edhe për ekonomitë europiane që ishin të ndërvarura nga gasi rus.

Kjo krizë e paralajmëruar, e bën edhe më të qartë faktin se, Presidenti i Federatës Ruse, Vladimir Putini, nuk është e as nuk mund të jetë pasardhësi i veprës së Pjetrit të Madh apo Katerinës së Madhe, që zgjeroi hapësirën ruse dhe ndërtoi pushtetin autoritar të Rusisë, duke u imponuar si fuqi e kohës. Në fakt ai po rezulton më shumë si “rimishërimi modern i Carit Nikolla II, që solli Rusinë në rrënimin e saj të parë në njëqind vitet e fundit dhe si carët komunistë të epokës sovjetike që e çuan atë në rrënimin e saj të dytë.”[2]

Dëmi kolateral ekonomik i sulmit në Ukrainë ishte viti i krizës së madhe financiare. Ajo që pasoi ishte recesioni më i keq ndërkombëtar deri atbotë. Më pas vazhdoi recesioni i pasuar nga valë të reja të recesionit ekonomik e politik: kriza e euros, votimi për daljen e Britanisë nga BE-ja, zgjedhja e proteksionistit Donald Trump (76) si President i SHBA-së dhe lufta tregtare që ai nxiti, rikthimi në pushtet në disa vende të BE-së i neofashistëve (Hungari, Poloni…); thellimi i kursit gjerman prorus, duke sjellë shtetin në varësi të plotë të gazit rus; etblimi i drejtuesve autoritar në Europën Juglindore (Serbi, Slloveni, Shqipëri,…); fitorja e neoliberalëve në Francë… e më në fund pandemia dhe mbylljet për periudhën dyvjeçare në rrafsh planetar, duke kulmuar krejt kjo me agresionin e planifikuar gjatë të Putinit ndaj Ukrainës dhe tashti shpalljen e luftës ekonomike nga ana e putinit ndaj Perëndimit.

Por pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi gjithçka. Rusia ka ndërmarrë një luftë rraskapitëse me shtrirje dhe intensitet të madh, e me pasoja jo vetëm për veten, por edhe për Perëndimin. Për shkak të agresionit të pa shkas kundër Ukrainës, Perëndimi mori masa të rrepta kundër Rusisë, duke sanksionuar ekonomikisht me masa të papara ndonjëherë në historinë moderne. Kjo ishte një luftë e mirëfilltë ekonomike, të cilës Rusia ndërkohë po i përgjigjet me kundërmasat e saj, duke ndalë gazi për klientelën europiane pa i përfillë fare kontratat.

 Dëmi kolateral ekonomik global i sulmit në Ukrainë do të marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha. “Do të ishte befasuese nëse globalizimi do të dilte i padëmtuar nga pika aktuale”[3], nënvizon profesori gjerman i ekonomisë Henrik Mueller, nga Universiteti Teknik i Dortmundit. (Me këto tema duket se do të mirët pikërisht samiti i BE-së që fillon të enjten dhe ai i G7-ës, një ditë më pas — të dielën).

Në këtë sfondi të zymtë të perspektivës ekonomike gjermane, sot është mbledhur në Berlin ajka e a e kompleksit politiko-ekonomik gjerman. Shkas është organizimi i “Ditës së Industrisë Gjermane”, organizuar nga organizata ombrellë BDI. Aty do ët parakalojnë si gjeneralë të luftës tok: Kancelari dhe Zëvendës-Kancelari, Ministri i Financave dhe Transportit dhe krerët e odave ekonomike gjermane — të gjithë vijnë në Berlin për të nënvizuar nevojën urgjente për masat në lëmin e prodhimit dhe ekonomisë në tërësi. Njohës të mirë të ekonomisë dhe politikave financiare jo kot paralajmërojnë fillimin e epokës së deindustrializimit ët ekonomisë gjermane. Pasojat vetëm mund të hamendësohen.

Kambanat po bien edhe për elitën tonë

Duket se kolapsi i tretë i Rusisë në njëqind vitet e fundit po afrohet. Por këtë herë ajo do të pretendojë që ta marrë drejt greminës edhe Europën. Pasojat e këtij kolapsi “do të përfshijnë Evropën në një shkallë tejet disproporcionale, nëse jo edhe progresive e më të tmerrshme se ato pas Luftës së Parë Botërore dhe rënies së parë të Rusisë.”[4]

Ndërlidhja me shkak-pasojat mes kolapsit rus dhe atij europian ka një ndërvarësi interaktive historike. Prandaj, çdo rënie e Rusisë paraprakisht (si e para — 1917, ashtu edhe e dyta — 1991), patën tronditur Evropën në mënyra të ndryshme. Si herën e parë edhe të dytën, Europa Juglindore ishte ajo që pësoi më së shumti. Por, kjo nuk do të thotë se historia mund të përsëritet në trajtën e saj pararendëse. Sidomos jo për dy republikat tona. Përkundrazi, rënia e pritshme e tretë e Rusisë, do të ishte krejtësisht e logjikshme të hapte perspektive për faktorizimin e shqiptarëve jo vetëm në këtë pjesë të kontinentit ku ai është autokton, por edhe për rolin e tyre në marrëdhëniet transatlantikë, gjithsesi në favor të interesave tona gjeopolitike, meqë kësaj radhe ne me kohë jemi pozicionuar drejt — krah Perëndimit.

Në këtë gjendje të re që po ngjet para syve tanë, elitat tona ekonomike dhe politike, duke lënë mënjanë mbushjen e kontove të tyre private, do të mund t’i bënin shërbim të madhe Kombit. Do të mjaftonte që kësaj radhe të mos vihen në shërbim të agjendës politike me shumë të panjohura që imponon Balkani i Hapur dhe ideatorët e tij./Pamfleti

Forum bashkimi evropian Dr Sadri Ramabaja Rusia