Bota28 Janar 2023, 07:58

Rusia ofensivë të re në Ukrainë, "Bloomberg": Putin po bën gati trupat për periudhën shkurt-mars!

Shkruar nga Pamfleti

Presidenti rus Vladimir Putin po përgatit një ofensivë të re kundër Ukrainës, që do të përfshijë muajt shkurt-mars dhe në të njëjtën kohë po forcon vendin e tij për një përballje afatgjatë me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre.

Kështu shkruan agjencia e lajmeve “Bloomberg”, që citon funksionarë dhe persona të tjerë në dijeni të situatës.

Sipas këtyre të fundit, Kremlini synon të tregojë se trupat e tij mund të riorganizohen pas muajsh të tërë humbjesh në terren dhe se mund të ushtrojë presion ndaj Kievit dhe mbështetësve të tij që të pranojnë një lloj armëpushimi duke i lënë Rusisë kontrollin e territoreve që zotëron aktualisht.

Lajmi konfirmon paralajmërimet e Ukrainës dhe aleatëve të saj për një ofensivë ruse përpara se Kievi të marrë furnizimet me tanke amerikane dhe gjermane, të premtuar në ditët e fundit nga Uashingtoni dhe Berlini.

Vendosmëria e Putin pritet të sjellë një përshkallëzim vdekjeprurës të luftës, në një kohë kur Kievi po përgatit një kundërofensivë për të dëbuar forcat e Moskës, vijon më tej “Bloomberg”.

Burimet e cituara nga agjencia shtojnë se, Putin vlerëson se nuk ka alternativë tjetër veçse të vijojë dhe të dominojë një konflikt, të cilin e konsideron jetik në përballjen me Amerikën dhe aleatëve të saj.

Bota #Rusia ofensivë të re në Ukrainë