Bota26 Dhjetor 2022, 18:37

Rusia rikthen kërcënimet me luftë bërthamore: Do veprojmë nëse kërcënohemi!

Shkruar nga Pamfleti

Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë thënë vazhdimisht se politika e Rusisë për armët bërthamore dikton se ato mund të përdoren nëse ekziston një kërcënim për integritetin territorial.

Rusia ka rikthyer retorikën e luftës bërthamore. Në fillim të agresionit në Ukrainë, Moska provokonte çdo ditë perëndimin, por pas takimeve që patën kreu i CIA me kreun e shërbimit sekret rus, pati një lloj tërheqje.

Mirëpo ai që ka provokuar është Dmitry Medvedev. Ai ka thënë se arsenali bërthamor që ka Moska, është e vetmja arsye që Perëndimi nuk e sulmon. Nga ana, tjetër ai ka paralajmëruar se në rast rreziku ai arsenal do vihet në funksion.

Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, tha gjithashtu se Moska do të vazhdojë luftën e saj në Ukrainë derisa “regjimi i neveritshëm, pothuajse fashist” në Kiev të hiqet dhe vendi të jetë çmilitarizuar plotësisht.

Medvedev, i cili dikur e konsideronte veten si një modernizues liberal si president nga viti 2008 deri në vitin 2012, është një nga përkrahësit më të ashpër të luftës. Ai denoncon rregullisht Perëndimin, të cilin ai e akuzon se dëshiron të copëtojë Rusinë për të përfituar Ukrainën.

“A është Perëndimi gati të lëshojë një luftë të plotë kundër nesh, duke përfshirë një luftë bërthamore, në duart e Kievit?”, shkroi ai në një artikull prej 4 mijë e 500 fjalësh për gazetën “Rossiiskaya”. “E vetmja gjë që i ndalon armiqtë tanë sot është të kuptuarit se Rusia do të udhëhiqet nga bazat e politikës shtetërore … mbi parandalimin bërthamor. Dhe në rast se do të shfaqet një kërcënim real, ajo do të veprojë kundër tyre”, shtoi ai.

Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë thënë vazhdimisht se politika e Rusisë për armët bërthamore dikton se ato mund të përdoren nëse ekziston një kërcënim për integritetin territorial. Rusia ka stokun më të madh në botë të armëve bërthamore, me afro 6 mijë koka luftarake, sipas ekspertëve.

Në fillim të këtij muaji, Putin tha se rreziku i një lufte bërthamore po rritej, por këmbënguli se Rusia nuk ishte “çmendur” dhe se ajo e shihte arsenalin e saj bërthamor si një parandalues thjesht mbrojtës.

Medvedev tha gjithashtu se Rusia mund të harrojë lidhjet normale me Perëndimin për vite dhe ndoshta dekada në vijim dhe do të fokusohet në vend të kësaj në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës.

Bota #perendim Dmitry Medvedev Lufte Rusi