Aktualitet23 Maj 2022, 17:38

Sa më i dobët arsimi, aq më e dobët politikëbërja!

Shkruar nga Pamfleti
Sa më i dobët arsimi, aq më e dobët politikëbërja!

Sa më i dobët arsimi, aq më e dobët politikëbërja!

Në politikën e barazisë arsimore, nxënësit shqiptarë në disa komuna të Shkupit, Manastirit, Prilepit, Velesit etj. nuk kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën amtare. Ata mësojnë në gjuhën maqedonase që nga klasa e parë, ndërkohë që pushteti aktual, ku bëjnë pjesë edhe partite shqiptare (!) nuk lejon të përdoret abetarja mbarëkombëtare për nxënësit shqiptar në shkollat shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Shkup, 23 maj – Rezultatet e fundit të PISA-s zbulojnë një mori dobësish në arsim që kryesisht kanë të bëjnë me cilësinë e ulët dhe rezultatet e dobëta të mësimnxënies dhe mësimdhënies në Maqedoninë e Veriut.

Për gjendjen e degraduar në arsim, fajtori nuk është jetim dhe gishti duhet drejtuar te disa faktorë, por para së gjithash, te politikanët të cilët me mosdijen e tyre e kanë çuar arsimin në gjendje të mjerueshme. Niveli i arsimit në Maqedoninë e Veriut, shkon sipas trendit të formimit të politikanëve, sepse sa më i dobët arsimi, aq më e dobët politikëbërja. Politikanët duan që të jenë të rrethuar me njerëz gjysmë analfabet, sepse vetëm përmes tyre fuqizohet pushteti i pamerituar. Në Maqedoninë e Veriut ka kohë që ekziston një aleancë e pashpallur në mes të politikanëve shqiptarë dhe gjysmëanalfabetëve. Mjafton të ndiqni fjalimet e tyre dhe do të kuptoni se çfarë tortura përjeton gjuha e bukur shqipe në aparatin e tyre të keqshqiptimit.

Politikanët, kush më shumë e kush më pak, me qasjen e tyre idiote ndaj kuadrove të shkolluar, duke zëvendësuar të mirët me të dobëtit, duke zëvendësuar mësimdhënës të diplomuar me militant partiak pa diplomë, shkatërruan të gjitha standardet e vlerësimit dhe motivimit. Vendosën në krye të arsimit persona të cilët sapo kishin zbritur nga mali me gozhup e drejtë  në vendimmarrje se cili duhet të bëhet drejtor dhe cili mësimdhënës, ndërkohë që ata mezi kishin mbaruar filloren dhe kishin vazhduar kurset e natës.

Derisa para pavarësisë se Maqedonisë kishim probleme tjera me arsimin shqip ku nuk lejoheshin nxënësit shqiptar të mësonin aspak në gjuhën shqipe, tani në demokraci kemi një lloj tjetër të “invazionit” ndaj arsimit shqip. Ajka e një kombi është elita e shkolluar në një arsim cilësor dhe të mirëfilltë, ndërsa pikërisht po nga shqiptarët arsimi shqip po dëmtohet vetëm për një grusht votash. Po shkatërrohet e ardhmja dhe bërthama e kombit. Dëmi është shumë më i madh dhe afatgjatë.

Në politikën e barazisë arsimore, nxënësit shqiptarë në disa komuna të Shkupit, Manastirit, Prilepit, Velesit etj. nuk kanë të drejtë të mësojnë në gjuhën amtare. Ata mësojnë në gjuhën maqedonase që nga klasa e parë, ndërkohë që pushteti aktual, ku bëjnë pjesë edhe partitë shqiptare (!) nuk lejon të përdoret abetarja mbarëkombëtare për nxënësit shqiptar në shkollat shqipe në Maqedoninë e Veriut.

Fatkeqësisht shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po bëjnë prapaktheu dhe për një kohë jo shumë të largët do të kemi krizë identitare dhe vështirë se mund të gjejmë shqiptar të formuar ideologjikisht në vijën kombëtare. Kur të arrijmë në atë pikë do të jetë vonë dhe një kthesë e madhe do të jetë e vështirë. Prandaj duhet të ketë sa me shpejt një reagim nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për të mos lejuar shqiptarët e Maqedonisë të rrëshqasin edhe më shumë në ambisin e krizës identitare, si pasojë e arsimit jocilësor.

Shkupi Arsim Maqedoni e Veriut