Aktualitet 2 Shkurt 2019, 14:05

Sa ‘virgjëresha’ të fjalëve të pista, e sa pak ithtarë të së drejtës në këtë vend

Shkruar nga Pamfleti
Sa ‘virgjëresha’ të fjalëve të pista, e sa pak

Sa 'virgjëresha' të fjalëve të pista, e sa pak ithtarë të së drejtës në këtë vend

Kush është më i drejtë, i sinqertë, punëtor e shërbyes i Shqipërisë mes tyre. Në inat e sipër njerëzit shpesh thonë atë që mendojnë, dhe fjalët, arrijnë në zemër, pa pasur kohë që mendja t’i përpunojë.

Shkruan Alba Malltezi

Shumë bëjnë si “virgjëresha” të fjalëve të pista, por nuk e dinë se veprimet e tyre, të pavërtetat e tyre, deformimet e përfitimet e tyre në kurriz të një vendi, janë gjëja më e pisët që një qytetar, një individ, një patriot mund të bëjë. Shumë u “indinjuan” për përplasjen e madhe mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit historik të Partisë Demokratike në Kuvend, Sali Berisha, por pak duket se e vrasin mendjen për të kuptuar të vërtetat në ato akuza që hidhen e dëgjojmë përditë, prej 25 vitesh, në veshët tanë.

Për herë të parë, në Kuvendin e Shqipërisë, që nuk është Altari i Universit, por grumbulluesi i humoreve, instikteve, dijeve dhe padijeve, ëndrrave dhe ambicieve, urisë dhe paginjësisë së shqiptarëve, u përplasën dy njerëz të një rëndësie të madhe politike për Shqipërinë. Atëherë? Në vend që të qartësojmë mendjen e shpirtin se kush foli më sinqerisht, të mbledhim të dhëna e të verifikojmë se kush gënjen e kush thotë të drejtën para shqiptarëve, me fjalë dhe figurë, bëjmë sikur shqetësohemi për formën. Aty, në mërzi e sipër, në inat e sipër, në bërtitje e sipër në sharje e sipër. Aty kemi të vërtetat.

Dje në rrjete sociale e në biseda, Shqipëria dukej si ajo familja që jeton në një makth, dhunë, mjerim ndjenjash e vlerash, por është e shqetësuar më shumë se çdo gjë tjetër, jo për të kuptuar se ku qëndron e keqja, për ta shkulur e për ta mjekuar, por, të mos e marrë vesh lagjja. Të tjerët. Të tregojmë në sy të botës se jemi në harmoni e perfektë, të larë e hekurosur, pavarësisht se brenda kërcënohemi nga kalbja e vlerave. E kështu nisën recitimet e vjershat, peticionet e refrenet për formën, për dukjen, për gjasmen, jo për Të Vërtetën.

Njerëz, masa, turma që marrin përsipër të gjykojnë, jo të verifikojnë dhe me trurin e tyre, këtë mrekulli që Natyra na ka dhuruar, të arsyetojnë.

Le të përplasen me fjalën politikanët. Janë përplasur kurdoherë e kudo edhe në Parlamentet e shoqërive më të qytetëruara. Ne qytetarëve, kujt i dhimbset e do ta shohë të bukur e të vërtetë këtë tokë, duhet të na interesojë vetëm një gjë: Kush është më i drejtë, i sinqertë, punëtor e shërbyes i Shqipërisë mes tyre. Në inat e sipër njerëzit shpesh thonë atë që mendojnë, dhe fjalët, arrijnë në zemër, pa pasur kohë që mendja t’i përpunojë.

Forum