Politike 5 Dhjetor 2022, 17:48

Samiti i BE në Tiranë, Charles Michel: Takim tepër i rëndësishëm, do të zhvillohet në zemër të Ballkanit

Shkruar nga Pamfleti
Samiti i BE në Tiranë, Charles Michel: Takim tepër i

Në 6 dhjetor, Tirana do të jetë ‘kryeqendra’ e Europës, pasi do të mbajë për herë të parë Samitin BE-Ballkani Perëndimor.

Temat kryesore për të cilat do të diskutohen, do kenë fokusin te Ukraina,  migracioni, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar si edhe përforcimi i sigurisë me qëllim parandalimin e ndërhyrjeve të huaja.

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel e quajti simbolik samitin mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor që do të mbahet nesër në Tiranë, pasi sipas tij do të zhvillohet në zemër të rajonit.

Ai theksoi se ky samit tregon një evolucion të fortë të Shqipërisë sa i përket angazhimit.

“Samiti i nesërm BE- Ballkani Perëndimor është shumë simbolik sepse do të zhvillohet në Tiranë, në zemër të rajonit. Tregon një evolucion të fortë për sa i përket angazhimit”, shkruan Michel në Twitter.

Tomorrow’s EU-#WesternBalkans summit is very symbolic because it will take place in Tirana, at the heart of the region.

It shows a strong evolution in terms of engagement. pic.twitter.com/7buRaBENUU

— Charles Michel (@CharlesMichel) December 5, 2022

Sipas Michel, katër gjëra janë themelore për këtë samit.

E para lidhet me integrimin e Shqipërisë dhe gjithë rajonit në bashkësinë evropiane, duke përmendur edhe faktin se mund të ketë një deklaratë të përbashkët mes Tiranës dhe Shkupit, për rrugën e përbashkët evropiane.

Pika e dytë lidhet me liberalizimin e vizave për Kosovën, mbi të cilën do të ketë sërish bisedime pas vendimmarrjes se bllokimi virtual i vizave, do të jetë i hequr më 1 janar 2024.

Këtë pikë, e ka theksuar edhe kryeministri slloven, Robert Golob, me të cilin Michel ishte në deklaratë të përbashkët.

E treta pikë, lidhet me efektin energjetik që lufta në Ukrainë ka pasur në gjithë kontinentin dhe përgjigjen që i duhet dhënë krizës.

Paketa financiare të larmishme janë lëshuar nga Bashkimi Evropian për Ballkanin sa i përket përballimit të krizës energjetike dhe një paketë tjetër është parashikuar për ndihma të mëtejshme.

Shtylla e katërt, do të jetë ajo e sapo prezantuar nga Komisioni Evropian, lidhur me përballimin e fluksit migrator nga rruga ballkanike.

Kjo gjë, përmes një plani pesë pikësh, do të bëjë të mundur uljen e fluksit sipas Michel dhe do të rrisë më tej angazhimin evropian për ndihmën reale në rajon.

Një prej pesë pikave, është edhe ajo e linjëzimit të regjimit të vizave mes vendeve të unionit dhe atyre të rajonit, duke nënkuptuar se Ballkani duhet të përafrojë kriteret me Evropën për vendet e treta, që të ketë kështu edhe një integrim më të shpejtë.

Politike BE Charles Michel evropë samit