Bashkimi Europian ka dështuar edhe njëherë tjetër për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria. Ashtu siç pritej, Samiti i liderëve të BE-së me ata të Ballkanit Perëndimor – i mbajtur të enjten e 23 qershorit – nuk dha asnjë rezultat pozitiv.
Për Ramën, fryma e zgjerimit është deformuar duke lejuar marrjen peng të procesit nga shtetet individuale. Mirëpo, në konkluzionet e paraqitura nga liderët evropianë në përfundim të samitit, vihet në dukje rëndësia e reformave dhe një zgjidhje e menjëhershme e ngërcit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
“Këshilli Evropian rikujton rëndësinë e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe në veçanti ato që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai gjithashtu u bën thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave”– thuhet në konkluzionet e nxjerra nga samiti sa iu përket vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lajm të mirë Unioni nuk dha as për Kosovën, Bosnje dhe Hercegovinën apo dy vendet që kanë vite që kanë hapur negociatat, Serbia më 2014 dhe Mali i Zi më 2012.
Të ndalur tek skandali i mosliberalizimit të vizave për Kosovën, njëherazi shteti i vetëm i izoluar në kontinent, liderët e BE-së bëjnë “fajtor” marrëdhëniet e tensionuara Prishtinë-Beograd dhe ngërçin në procesin e dialogut mes dy vendeve.
“Këshilli Evropian ripohon urgjencën e arritjes së përparimit të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht në Dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës*”– thuhet në konkluzione.
Sa i përket çështjes së Bosnje Hercegovinës, KiE mirëpret marrëveshjen e fundit politike, që mund të çoj në arritjen e një stabiliteti politik, sidoqoftë ka ende shumë punë për të bërë. BE “u bën thirrje të gjithë liderëve politikë në Bosnje dhe Hercegovinë që të zbatojnë me shpejtësi angazhimet e përcaktuara në marrëveshje dhe të finalizojnë urgjentisht reformën kushtetuese dhe zgjedhore, e cila do t’i lejojë vendit të përparojë me vendosmëri në rrugën e tij evropiane, në përputhje me opinionin e Komisionit.”
“Këshilli Evropian është i gatshëm t’i japë statusin e vendit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën dhe për këtë qëllim fton Komisionin t’i raportojë pa vonesë Këshillit mbi zbatimin e 14 prioriteteve kryesore të përcaktuara në opinionin e tij, me vëmendje të veçantë për ato të cilat përbëjnë një grup të konsiderueshëm reformash në mënyrë që Këshilli Evropian të kthehet për të vendosur për këtë çështje”– thuhet më tej në konkluzione.
KONKLUZIONET E PLOTA:
Bashkimi Evropian shpreh plotësisht dhe pa mëdyshje angazhimin e tij të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.
1. Bazuar në metodologjinë e rishikuar, Këshilli Evropian fton Komisionin, Përfaqësuesin e Lartë dhe Këshillin që të avancojnë më tej integrimin gradual midis Bashkimit Evropian dhe rajonit tashmë gjatë vetë procesit të zgjerimit në një mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në merita.
2. Këshilli Evropian rikujton rëndësinë e reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe në veçanti ato që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Ai gjithashtu u bën thirrje partnerëve të garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave.
3. Këshilli Evropian u informua për zhvillimet e fundit në diskutimet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ai bën thirrje për një zgjidhje të shpejtë të çështjeve të fundit të mbetura në mënyrë që negociatat e pranimit të mund të hapen pa vonesë.
4. Këshilli Evropian ripohon urgjencën e arritjes së përparimit të prekshëm në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, veçanërisht në Dialogun Beograd-Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës*.
5. Këshilli Evropian mirëpret marrëveshjen politike të arritur më 12 qershor 2022 nga krerët e Bosnjë-Hercegovinës në Bruksel, e cila është e nevojshme për stabilitetin dhe funksionimin e plotë të vendit dhe për t’iu përgjigjur aspiratave të popullit. Ai u bën thirrje të gjithë liderëve politikë në Bosnje dhe Hercegovinë që të zbatojnë me shpejtësi angazhimet e përcaktuara në marrëveshje dhe të finalizojnë urgjentisht reformën kushtetuese dhe zgjedhore, e cila do t’i lejojë vendit të përparojë me vendosmëri në rrugën e tij evropiane, në përputhje me opinionin e Komisionit.
6. Këshilli Evropian është i gatshëm t’i japë statusin e vendit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën dhe për këtë qëllim fton Komisionin t’i raportojë pa vonesë Këshillit mbi zbatimin e 14 prioriteteve kryesore të përcaktuara në opinionin e tij, me vëmendje të veçantë për ato të cilat përbëjnë një grup të konsiderueshëm reformash në mënyrë që Këshilli Evropian të kthehet për të vendosur për këtë çështje.