Samiti i G7 u mbajt këtë vit në 26-28 qershor në Gjermani për shkak se ajo është kryesuese e radhës e grupit të 7 ekonomive më të fuqishme të botës.
G7 përfshin Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë, Japoninë, Kanadanë dhe SHBA-në. Rusia ka qenë pjesë e këtij grupi nga viti 1998 deri më 2014 dhe ky grup asokohe quhej G8. Por Rusia u përjashtua për shkak të aneksimit të Krimesë.
Por çfarë vendosën në këtë samit së bashku liderët e G7?
-Shtatë liderët botërorë kanë rënë dakord të punojnë për një kufi të çmimit për naftën ruse, si pjesë e përpjekjeve për të ulur të ardhurat e Kremlinit nga energjia.
Në takimet e fundit, ndërsa samiti në Gjermani po i afrohet fundit, del se grupi po shqyrton një ndalim të transportit të naftës ruse që shitet mbi një çmim të caktuar.
“Ne i ftojmë të gjitha vendet me të njëjtin mendim që të konsiderojnë bashkimin me ne në veprimet tona”, shkruan ata në një komunikatë përfundimtare, raporton Reuters.
-Ata trajtuan gjithashtu krizën e urisë në botë, duke u bërë thirrje “të gjitha vendeve të shmangin grumbullimin e tepërt të ushqimit që mund të çojë në rritje të mëtejshme të çmimeve”.
Ato vende – dhe kompani private – me stoqe të tepërta duhet të “vënë në dispozicion ushqimin pa e shtrembëruar tregun”, ranë dakord bashkërisht G7.
-Ata gjithashtu do të nxisin ndalimin e importeve të arit rus si pjesë e përpjekjeve për të shtrënguar sanksionet ndaj Moskës për pushtimin e saj në Ukrainë, tha një zyrtar i BE-së.
-Përveç kësaj, shtatë liderët premtuan 4.5 miliardë dollarë shtesë për të luftuar pasigurinë globale të ushqimit, duke e çuar shumën totale të angazhuar këtë vit në më shumë se 14 miliardë dollarë.
-Rritja e çmimeve të karburanteve, pasojat nga pandemia e Covid-it dhe lufta në Ukrainë po kontribuojnë të gjitha në frikën e një zie buke globale, me G7 që i kërkon edhe një herë Rusisë të heqë bllokadën e saj ndaj porteve të Detit të Zi të Ukrainës dhe të ndalojë çdo “përvetësim të paligjshëm” të grurit. .
Rusia mohon të jetë përgjegjëse për krizën ushqimore dhe fajëson sanksionet perëndimore për ndërprerjet e dërgesës.