Kulture 6 Janar 2023, 15:50

Samsung-u përballet me fitimin më të ulët tremujor në 8 vjet

Shkruar nga Pamfleti

Tre muajt e fundit të vitit 2022, kompania Samsung është përballur me fitime që kanë rënë me 69 për qind në nivelin më të ulët në tetë vjet.

Prodhuesi më i madh në botë i çipave, telefonave inteligjentë dhe televizorëve ka parashikuar që fitimi operativ të ketë rënë në rreth 3.4 miliardë dollarë.

E gjitha pasi ngadalësimi ekonomik global godet çmimet e çipave të memories dhe kërkesën për pajisje elektronike.

Në mbarë botën, gjigantët e teknologjisë janë goditur muajt e fundit pasi konsumatorët shtrëngojnë blerjet e pajisjeve elektronike.

Sakaq, fitimi i kësaj periudhe të fundit ka qenë fitimi më i ulët tremujor i Samsung-ut që nga viti 2014, duke mos i arritur pritjet e investitorëve prej rreth 5.9 trilionë dollarësh.

Sipas kompanisë koreano-jugorë, rënia ishte më e madhe nga sa pritej në kërkesën për çipa kompjuterikë pasi klientët shkurtuan stoqet e tyre të komponentëve kryesorë për pajisjet digjitale.

“Për biznesin e memories, rënia e kërkesës për tremujorin e katërt ishte më e madhe se sa pritej pasi klientët rregulluan inventarët në përpjekjet e tyre për të shtrënguar më tej financat”, ka deklaruar Samsung-u.

Dhe se “shitjet dhe të ardhurat e telefonave inteligjentë u ulën për shkak të kërkesës së dobët që rezulton nga problemet e zgjatura makro”.

Sakaq, Samsung-u është kompania më e fundit e madhe e teknologjisë që zbulon se si dobësia në ekonominë globale po ndikon në biznes.

Po ashtu shitjet janë ngadalësuar pasi kërkesa u rrit gjatë pandemisë kur klientët në shtëpi shpenzonin shumë më tepër kohë në internet.

Dhjetëra mijëra vende pune po lihen në industrinë globale të teknologjisë, mes ngadalësimit të shitjeve dhe shqetësimeve në rritje për një rënie ekonomike. Këtë javë, Amazon-i ka bërë me dije se planifikon të heqë më shumë se 18 mijë vende pune, numri më i madh në historinë e firmës, pasi ul kostot.

Kurse në nëntor, Meta njoftoi se do të shkurtonte 13 për qind të fuqisë punëtore.


smile

Teknologji Samsung teknologji