Borusia e Dortmundit ka festuar vetëm pak orë, pasi Bajerni i Mynihut ka triumfuar me rezultatin 1-0 kundër Arminia Bielefeld dhe me tre pikët e marra, kryeson kampionatin me një pikë më shumë.
Bavarezët e dominuan totalisht këtë duel, por goli i epërsisë që ishte edhe i fitores erdhi shumë vonë. Leroi Sane dërgoi topin në rrjetë në minutën e 71, pas një pasimi të Tomas Myler. Bajerni e tentoi portën e skuadrës mike 23 herë në 90 minuta.
Goli mjaftoi për fitoren, por edhe vendosi një rekord të ri për futbollin gjerman. Ai i shënuar sot, ishte i 102-ti në Bundesligë, në vitin kalendarik 2021 për Bajernin, duke thyer rekordin që mbahej nga Këlni, që në vitin e largët 1977.