Bota26 Shtator 2022, 16:09

"Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë kanë dështuar", Orban paralajmëron hungarezët: Të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainën fqinje

Shkruar nga Pamfleti
"Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë kanë dështuar",

"Sanksionet e BE-së ndaj Rusisë kanë dështuar", Orban paralajmëron hungarezët: Të përgatitemi për një luftë të gjatë në Ukrainën fqinje

“Hungaria duhet të përgatitet për një luftë të gjatë në Ukrainën fqinje.”

Kështu ka deklaruar kryeministri Viktor Orban këtë të hënë, duke kritikuar ashpër sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Rusisë, të cilat kanë “dështuar” – thotë ai – duke u kthyer në bumerang për evropianët, që po e vuajnë ndjeshëm rritjen e çmimeve të energjisë.

Orban, prej kohësh në kundërshtim me BE-në për disa nga politikat e Brukselit të cilat i koncepton si antidemokratike, kërkoi një armëpushim për t’i dhënë fund luftës, kur tha se sanksionet kundër Rusisë po i jepnin një goditje ekonomisë së Evropës. Ai u rizgjodh për një mandat të katërt radhazi në prill, por qeveria e tij po përballet me inflacion në rritje, rënie të besimit të qytetarëve dhe shanset e larta për një recesion të mundshëm vitin e ardhshëm.

Kryeministri hungarez i tha parlamentit se nuk ishte befasi që qeveritë demokratike po bien njëra pas tjetrës në Evropë, referuar këtu zgjedhjeve italiane të dielën, pas të cilave Giorgia Meloni duket se do të udhëheqë qeverinë më të djathtë të Italisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Mund të themi me siguri se si rezultat i sanksioneve, evropianët janë bërë më të varfër, ndërsa Rusia nuk ka rënë në gjunjë”- tha Orban, shkruan Reuters. “Kjo armë ka dështuar, me sanksionet që Evropa i ka qëlluar në këmbë”.

“Ne presim një përgjigje, e gjithë Evropa pret një përgjigje nga Brukseli se sa kohë do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”- tha ai, duke shtuar se ishte gjithashtu koha për të diskutuar sanksionet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Orban, qeveria e të cilit është në bisedime me Komisionin Evropian për të siguruar miliarda euro në fondet e BE-së të bllokuara për shqetësimet e sundimit të ligjit, tha se qeveria hungareze do të nisë një “konsultim kombëtar” duke pyetur hungarezët për sanksionet. Orban e ka përdorur më parë këtë mjet fushate për të siguruar mbështetjen e brendshme për partinë e tij, Fidesz, për politika të tilla si të drejtat e homoseksualëve ose migrimi.

Qeveria e Orban kishte rishikuar strategjinë e saj afatgjatë të energjisë dhe synon të riparojë sistemin e energjisë dhe të zgjasë jetëgjatësinë e termocentralit bërthamor Paks, me një total prej 32 investimesh të mëdha të planifikuara për t’u financuar duke përdorur fondet e BE.

“Nëse burokratët e Brukselit nuk na japin këto para, për të cilat Hungaria ka të drejtë, atëherë ne do të marrim fondet e nevojshme nga burime të tjera financiare,” tha Orban, duke shtuar se Hungaria kishte filluar bisedimet me BE-në dhe “partnerët e tjerë ndërkombëtarë“. Sidoqoftë, nuk dha detaje.

Bota #lufta në Ukrainë Orban