Editorial14 Gusht 2022, 07:58

Sarajet janë të Edi Ramës, Yuri Kim veç një “gozhdë” ka aty, sa për të varur “xhaketën”

Shkruar nga Pamfleti
Sarajet janë të Edi Ramës, Yuri Kim veç një

Sarajet janë të Edi Ramës, Yuri Kim veç një “gozhdë” ka aty, sa për të varur “xhaketën”

Shqiptarët, siç kanë arsye t’i besojnë investimit publik amerikan, kanë  arsye edhe ta zbehin ndonjëherë arsyen, se këta hajdutët tanë, janë të atij niveli, sa edhe kur të shtrihen në arkivol, rrezik t’ia vjedhin gozhdën varrmihësit…

 Shkruan Sokol Pepushaj

Babloku është në gjendje të rëndë psikologjike. Ngjan me Nastradin Hoxhën e mesjetës. Kur është më keq qesh e këndon më shumë. Kur lajmëron se po bën një xhiro nga BE-ja, i hypën gomarit me fytyrë nga bishti dhe veten e ndjen mirë vetëm në Surrel e Stamboll. Tjetërkund shihet me sy të keq e ngjan si ‘dhia mes deleve’.

Babloku dhe çdo shqiptar e kupton se ditët kanë filluar t’i numërohen mbrapsht. Mbrapsht ecin të gjithë këto 32 vjet, prandaj zonat e përcaktuara për gjueti “Peshku” kanë prodhuar konflikte ndryshe nga ato që kemi kaluar. Këtë herë nuk shtyhen paria e fshatit as për peshk, as për t’i rënë në sy shokëve e shefave, por për të  mos zënë peshk dhe për t’u nxjerrë sytë njëri-tjetrit e për t’i çuar për Reç me moton, burgu larg meje,

Ndryshe nga oqeanet, ku “Peshqit” e Mëdhenj fshihen thellësive e kullufisin më të vegjlit, këtej, me pak “ushqim” nga ambasadori Donald Lu, “peshqit e vegjël, do thyejnë rregullat e mbretërisë së ujrave, do hanë të mëdhenjtë”.

Askush nuk pyet se pse, se e ka thënë ambasadori Lu, lum peshqit e vegjël për të, por gjithsecili lëshon kushtrimin në televizionin e gazetën e vet fejsbuk, kur, more kur, se nuk presim më, do të kapen kapot e 4 Klaneve Mafioze?!

Pertej Lu-së, ose edhe këtej Lu-së, askush s’dyshon se ambasadorja Yuri Kim është një tip Nastradin Hoxhe që me përformancën ndryshe, i ka tërbuar “Peshqit” dhe i ka bërë gati për tigan këtë vjeshtë. Keni vërejtur gjë që edhe kur burgoset një ish ministër apo merret deputeti nga kuvendi e çohet në qeli, rrugës flet fjalë të mira për ambasadoren Yuri Kim dhe shan në shtatë brez hajdutin e madh Edi Rama që nuk bëhet ende Sali Berishë e Ilir Metë, të rreshtohet “ushtarakisht” krah kriminelëve si antiamerikan, se në fakt i tillë është. Ai jo vetëm ka shkelur publikisht flamurin amerikan, por edhe fjalët e veta e kontratat me votuesit. Këto krime Bablokun e kanë bërë po aq të urryer sa Sali Berishën kur shqiptarët e votonin kundër nga Vermoshi në Konispol.

Sot, të gjithë bëjnë si mjeshtra, por gojëtarët, ia fusin kot kur thonë se mjeshtri i mirë i bie gjithmonë gozhdës e asnjëherë gishtit. Po të ishte ashtu, s’do kishim as mjeshta me gishta të cekatur, as shoferë të mirë të rrëzuar në rrugë të mira.

Në rrugë të mira, aty ku kurrë s’ka pasur aksidente, u ndeshen më të dobëtit me më të fortët, skllevërit me sunduesit. Skllevërit vërtet prej 32 vitesh s’kanë bërë rezistencë, nuk kanë kapur asnjë deputetet, kryetar bashkie, doganier, ministër apo kryeministër e ta “copëtojnë” për shtatë palë qejfe, në mes të turmës. Edhe pse pa rezistencë, pa asnjë grusht turinjve, hajdutët janë jo veç të dobët, por të “plagosur” sa nuk ecin më tej.

U plagosën me një gozhdë.

Është plagosja më e rëndë në histori. E dini pse? Sepse thjeshtë çdo gjë është e këtyre hajdutëve e kriminelëve, përveçse një “gozhdë” që në qitap, dikur i takonte Nastradin Hoxhës e sot shqiptarëve.

Kjo marrëveshje është e përfunduar, pasi amerikanët kanë shpjeguar se një gozhdë i takon sovranit, e mund të shkojë të varë xhaketën sa herë do, andej.

Shqiptarët, siç kanë arsye t’i besojnë investimit publik amerikan, kanë  arsye edhe ta zbehin ndonjëherë arsyen, se këta hajdutët tanë, janë të atij niveli, sa edhe kur të shtrihen në arkivol, rrezik t’ia vjedhin gozhdën varrmihësit.

Po të qe varrezë Shqipëria po, ashtu do bënin, por është ndër vendet me resurset më të lakmueshme dhe nuk vendos kurrmë as Aliu i Berishës, as Kadiu i Ramës, se këta janë ustallarë në mashtrime.

Se ju e dini, kur Nastradini i shiti shtëpinë Hasanit, mbajti veç një gozhdë për vete, sa për të varur xhaketën. Ngatërresat qenë të mëdha se Nastradini shkonte tek gozhda e vet edhe 30 herë në ditë, sa e bëri tym të zotin e shtëpisë, që e çoi gozhdën në gjyq.

Kadia, as mish as peshk, u dha të drejtë të dyve, Nastradini shkon tek gozhda sa herë do dhe shtëpia është e atij që ka kartat.

Sot Alijtë, Azemët, Gramozët, Sokolët e deri shën Pjetrat, i ka rehatuar në Botën tjetër Sali Berisha, kurse  Kaditë, pra Arben Krajët, Olsian Çelët, Aida Hajnajt etj., kanë ngelur ata të Nastradinit, as mish as peshk, sa na bëjnë ne të harrojmë këtë vit edhe pushimet, veç hajdutët të shkojnë përpara drejtësisë.

Jemi në kohën ku shumë besojnë e ca edhe nuk besojnë. Gjithsesi, jo gjithçka është ashtu siç do u interesonte pushtetarëve hajdutë. Kanë lëvizur “pllakat” tektonike të Kështjellës së Krimit, edhe të Sarajit të Surrelit janë lëkundur fort. Kësi ngjarjesh kanë ndodhur qyshse Nastradini nguli në mur një gozhdë, e tha, shtëpia është e jotja Hasan, unë një gozhdë po mbaj.

Edhe Yuri Kim shkon tek gozhda e vet sa herë do.

Kjo ka bërë tym jo vetëm të ata të Rilindjes, por gjithë gjënë e gjallë të sarajeve të sulltanatit.

Por se pse duket sikur amerikanët kanë ngulur nga një gozhdë sa për të varur xhaketën, kudo hajdutët e dinë gjënë e vjedhur pronë të tyre, tek Shtëpia e Lirisë, Livadhi i Deleve, Çunat e Londrës, Partia e Lirisë, Republikanët e Fatmir Mediut që edhe kur vrasin njerëz vendosin kapele Republika, kudo ka pasuri të pajustifikuara.

Pra, që ta mbyllim për sot me optimizëm, gjithçka, me pasuri e katandi, me qeveri e opozitë, me Ilir Metë e çdo mbeturinë tjetër, me resorte elegante e saraje mesjetare, të Edi Ramës janë, Yuri Kim veç një “gozhdë” ka aty, sa për të varur “xhaketën”./Pamfleti

Editorial Edi Rama Sokol Pepushaj Yuri Kim

Editorial