Bota28 Tetor 2022, 09:31

Scholz merr në mbrojtje Greqinë nga kërcënimet e Turqisë: S’mund të vihet në pikëpyetje sovraniteti!

Shkruar nga Pamfleti
Scholz merr në mbrojtje Greqinë nga kërcënimet e

Kancelari Olaf Scholz mori në mbrojtje Greqinë ndaj kërcënimeve të Turqisë lidhur me ishujt grekë në lindje të Mesdheut. Nuk është e mundur, “që partnerët e NATO-s të venë në pikëpyetje sovranitetin e njeri-tjetrit”, tha Scholz gjatë vizitës (27.10) në Athinë. Marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Greqisë janë të rëndësishme jo vetëm për këto dy vende, por për të gjithë Europën. Problemet duhet “të zgjidhen në dialog dhe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare”, theksoi ai. “Nëse palët e konsiderojnë të nevojshme, Gjermania mund të kontribuojë”, ofroi kancelari Scholz.

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis në konferencën e përbashkët të shtypit me Scholz akuzoi presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan se përhap  gënjeshtra për Greqinë”. Kryeministri deklaroi, përkundër akuzave nga Ankaraja, se nga ishujt grek “nuk vjen rrezik”. Njëkohësisht ai deklaroi, se gjashtë tanke mbrojtëse Marder nga Gjermania do të dislokohen në kufirin me Turqinë. Ato do të vendosen në lumin kufitar të Evros në veri-lindje të vendit, tha Mitsotakis.

Shkëmbim tankesh në mbështetje të Ukrainës

Gjermania para pak ditësh dërgoi në Greqi gjashtë nga 40 tanket Marder që do të dërgohen gjithsej në Greqi për të realizuar një shkëmbim në mbështetje të Ukrainës: Greqia do të mbajë tanket gjermane për të dërguar në Ukrainë 40 tanket e arsenalit të saj të tipit BMP-1, të cilat ukrainasit mund t’i përdorin kundër agresionit nga Rusia.

Mes Greqisë dhe Turqisë ka tensione masive, që kanë të bëjnë me dislokimin e armëve dhe trupave në ishujt grekë në Mesdhe. Presidenti turk në mënyrë të përsëritur ka kërcënuar vendin fqinj me një sulm duke paralajmëruar: “Ne mund të vijmë papritur një natë.” Të dy vendet anëtare të NATO-s prej vitesh grinden mbi të drejtat ndaj rezervave të gazit natyror në lindje të Mesdheut.

Çështja e reparacioneve të luftës: “ende e parregulluar” apo “juridikisht e mbyllur”?

Një pikë konflikti megjithatë doli në pah në takimin në përgjithësi harmonik mes Scholz dhe Mitsotakis: Qeveria greke kërkon edhe më tej që Gjermania të paguajë reparacione për dëmet dhe vuajtjet e shkaktuara nga pushtimi gjerman në Luftën e Dytë Botërore. Kjo temë ende nuk është rregulluar, tha mikpritësi në Athinë. Kjo vlen kryesisht për një kredi të imponuar, që Banka greke e Rezervave duhej t’u paguante pushtuesve më 1942. “Megjithatë kjo nuk i trazon marrëdhëniet tona”, shtoi Mitsotakis. Scholz përpara vizitës i pati thënë gazetës “Ta Nea”: “Çështja e reparacioneve është mbyllur juridikisht dhe politikisht.”

Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave në Athinë, të Bankës Qendrore dhe të një komisioni parlamentar bëhet fjalë për 269 miliardë euro – duke përfshirë edhe një kredi të detyrueshme, që Greqia duhej t’i siguronte Bankës gjermane të Rajhut gjatë luftës. Gjermania e konsideron të mbyllur këtë temë duke iu referuar Traktatit Dy plus Katër për pasojat në politikën e jashtme të ribashkimit gjerman më 1990.

Gjermania naziste më 6 prill 1941 sulmoi Greqinë. Deri më 1944 SS e Ëehrmachtit ushtruan disa masakra. Dhjetëra mijë civilë grekë humbën jetën në luftë./DW

Bota Gjermania Olaf Scholz